Lirohen katër policët e ndaluar në Serbi, zv.drejtori dërgohet në paraburgim
Foto: Laura Hasani

Lirohen katër policët e ndaluar në Serbi, zv.drejtori dërgohet në paraburgim

Aktuale April 18, 2024 - 19:44

Ata që kishin pozita më të ulëta i liruan, por jo edhe atë që mban një prej pozitave më të rëndësishme në Policinë e Kosovës.

Serbia, ndërmjet të mërkurës e të enjtes, liroi të gjithë pjesëtart e Policisë së Kosovës që i kishte arrestuar, përjashtuar këtu Dejan Jankoviçin, zëvendësdrejtorin e Policisë.

Zyrtari i lartë i policisë që vjen nga radhët e komunitetit serb, siç raportoi ekskluzivisht Dukagjini, u arrestua në Jarinjë nga autoritetet serbe, nën pretendimin që i njejti ka kryer vepren penale “Shkelje e rendit kushtetues”.

Më shumë detaje rreth arrestimit të zëvendësdrejtorit e policëve, ka dhënë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tregoi që zv.drejtori është ndaluar për 48 orë në paraburgim ndërsa policët shqiptar janë marr në pyetje për të kaluaren dhe lidhjet e tyre me UCK-në.

“Fakti se zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës është arrestuar dhe transferuar në Rashkë duhet të jetë alarm për të gjithë. Nuk është vetëm abuzim i rëndë nga ana e Serbisë, por Vuçiq me arrestimin e mbajtjen e Jankoviqit synon të dërgojë mesazh të qartë të frikësimit për serbët e Kosovës, që janë integruar apo donin të integroheshin në Policinë e Kosovës”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Televizioni ka kuptuar që Jankoviç, ka qenë viktimë e keqtrajtimit në Rashkë të Serbisë.
Situata e re e krijuar nga Serbia, ka nxitur reagim të ashpra nga liderët Kosovar, që kanë kërkuar veprimin e faktorit ndërkombëtar.

“Përderisa po përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë se edhe në këtë momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovenist, Serbia. Prandaj i bëj thirrje të gjithë aleatëve tanë që të rrisin zërin dhe të rrisin përpjekje që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe Policisë sonë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërsa Kryeministri, Albin Kurti tha se shteti i Serbisë po kërkon tensione, dhe se situata e re, është rezultat i mos sanksionimit të veprimeve të kaluara, përfshirë këtu sulmin terrorist në Banjskë.

Ndersa drejtori i Policisë bëri me dije që janë duke punuar në drejtimin që zëvëndesi i tij të kthehet sa më shpejt në detyrë në Kosovë.

“Ne po punojmë me Qeverinë tonë e po ashtu me misionet diplomatike në mënyrë që ai sa më shpejt të lirohet dhe t’i kthehet detyrës dhe familjes. Është një veprim i padrejt totalisht dhe në kundërshtim me cdo rregull ndërkombëtare”, tha drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Veprimet e serbisë, erdhën si shenjë hakmarrjeje ndaj kalimit të hapit të dytë të Kosovës në rrugën drejt Këshillit të Evropës, pasi raporti për anëtarësimin e shtetit tonë u votua në Asamblenë Parlamentare të këtij institucioni.