Bakoyannis: Ajo vrimë e vogël e zezë në zemrën e Evropës duhet të mbyllet, dy milionë persona do të mbrohen nga KiE-ja
Foto: Laura Hasani

Bakoyannis: Ajo vrimë e vogël e zezë në zemrën e Evropës duhet të mbyllet, dy milionë persona do të mbrohen nga KiE-ja

Aktuale April 17, 2024 - 15:03

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë e raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, që hartoi raportin për Kosovën, ka shprehur entuziazmin e saj në një intervistë për Mediabox, pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro raportit të saj, i cili rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.

“Ata votuan me një shumicë të jashtëzakonshme raportin tim, që nënkupton se raporti është pozitiv për te Komiteti i Ministrave. Ata kërkuan opinionin tonë dhe opinioni ynë është pozitiv. Ne besojmë që ajo vrimë e vogël e zezë në zemrën e Evropës duhet të mbyllet edhe dy milionë njerëz të tjerë do të kenë mbrojtjen e Këshillit të Evropës, mbrojtjen për të drejtat e njeriut, të drejtat fetare dhe sigurisht mundësinë që të shkojnë në Gjykatën Evropiane në rast se këto të drejtat shkelen. Është e rëndësishme për minoritetin serb, është e rëndësishme për të gjithë minoritetet. Por, është e rëndësishme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe që do të ndiejnë nga sot se e kanë edhe një të drejtë më shumë”, tha Bakoyannisi.

Tutje, ajo ka sqaruar se si greke nuk e ka parë anëtarësimin e Kosovës në Këshill në pikëpamjen e shtetësisë, por në aspektin e të drejtave të njeriut.

“Është një situatë shumë e vështirë dhe të jesh greke është edhe më e vështirë, sepse e kam thënë që nga momenti i parë se nuk jemi duke folur për shtetësinë. Ne po flasim për të drejtat e njeriut. Nëse do të flisnim për shtetësinë, unë s’do ta merrja këtë raport, sepse do të isha e njëanshme dhe s’do ta kisha integritetin që i nevojitet këtij raporti. Por, tani e di që raporti është korrekt. Kosova ka një rrugë të gjatë për të ecur, do të monitorohet nga Këshilli i Evropës në rast se hyn. Që nga momenti i parë ata morën përsipër zotime që shpresoj se i plotësojnë, por ne do t’i shikojmë ato shumë seriozisht”.