Që nga mesnata, Serbia po i mban të bllokuar disa autobusë të Kosovës në kufi
Disa autobusë nga Kosova që nga mesnata kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin kufitar të Bastrovcit, në hyrje të Serbisë nga Kroacia.
Këtë e ka bërë të ditur sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, i cili ka thënë se kjo po bëhet si shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të suksesshëm për Kosovën të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropë, transmeton Zeri.info.
“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin 'Batrovci' Serbi - Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”.
“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai.
Ai ka thënë se Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon fare me atë të Kosovës për këtë rast.
“Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit ‘Batrovci’, për t'ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, shkroi Haxholli. /Zëri