Kosova me sy nga Këshilli i Evropës, sot votimi i rëndësishëm
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot do ta shqyrtojë raportin e raportueses Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme të BE-së.
Fillimisht duhet të dimë se Asambleja Parlamentare është një nga dy organet kryesore statutore të Këshillit të Evropës dhe përfaqëson tendencat kryesore politike në shtetet e tij anëtare. Asambleja konsiderohet si forca dinamike në shtrirjen e bashkëpunimit evropian për të gjitha shtetet demokratike në mbarë Evropën.
Të 315 anëtarët e Asamblesë Parlamentare dhe zëvendësit e tyre zgjidhen ose emërohen nga parlamentet kombëtare që vijnë nga vetë anëtarët e tyre. Çdo vend ka midis 2 deri 18 përfaqësues, në varësi të madhësisë së popullatës.
Numrin më të madh të anëtarëve e kanë Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca, me nga 18 anëtarë, Ukraina, Polonia, Spanja dhe Turqia, me nga 12 anëtarë dhe shtetet e tjera me më pak se 10 anëtarë, shkruan Zeri.info.
Shtetet anëtare dhe përfaqësimi i tyre
Shqipëria (4), Andorra (2), Armenia (4), Austria (6), Azerbajxhan (6), Belgjika (7), Bosnjë dhe Hercegovina (5), Bullgaria (6), Kroacia (5), Qiproja (3), Republika Çeke (7), Danimarka (5), Estonia (3), Finlanda (5), Franca (18), Gjeorgjia (5), Gjermania (18), Greqia (7), Hungaria (7), Islanda (3), Irlanda (4), Italia (18), Letonia (3), Lihtenshtajni (2), Lituania (4), Luksemburgu (3), Mali i Zi (3), Malta (3), Moldavia (5), Holanda (7), Norvegjia (5), Polonia (12), Portugalia (7), Rumania (10), San Marino (2), Serbia (7), Republika Sllovake (5), Sllovenia (3), Spanja (12), Suedia (6), Zvicra (6), Maqedonia e Veriut (3), Turqia (12), Ukraina (12), Mbretëria e Bashkuar (18).
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim sot do të jetë para Asamblesë Parlamentare diku rreth orës 16:00, ku do të diskutohet rreth raportit që ka paraqitur tashmë raportuesja greke, Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë dhe më pas të kalojë në Këshillin e Ministrave që pritet të mblidhet në mesin e muajit maj të këtij viti.
“Procesi i votimit në tërësi do të jetë sfidues, disa vende si Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit tonë, por besoj kësaj radhe do të triumfojmë, pasi që mbështetja e vendeve mike është e pa rezervë, ndërsa angazhimi i Delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz” , ka thënë deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili është pjesë e delegacionit të Kosovës që po logojnë në Strasburg për të shkuar gjithçka në favor të Kosovës.
Tahiri këtë deklaratë e dha në rrjetet sociale, para se Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut i Këshillit të Evropës, të votonte njëzëri raportin e Bakoyanisit për Kosovës.
Në këtë votim Komiteti votoi se “… ndan konkluzionin në draft opinionin statutor se Kosova ka arritur standardin minimal të kërkuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës edhe në fushën e çështjeve ligjore dhe të të drejtave të njeriut, edhe pse reforma duhet të vazhdojë…
... konsideron se Kosova është një ‘shtet evropian’ për qëllimet e nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës dhe kritereve të shtetësisë sipas të drejtës ndërkombëtare…
Prandaj, komisioni mbështet përfundimin e draftopinionit statutor që favorizon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës…”, thuhet në raportin e votuar nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut.
Nëse sot, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës voton me 2/3 raportin për Kosovën, do të kalohet te hapi i radhës dhe i fundit, pasi do t’i rekomandohet Këshillit Ministror të Këshillit të Evropës pranimin e Kosovës, mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti, në të cilën Kosovës i duhen 2/3 e votave për t’u bërë anëtare.
Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. /Zëri