Kurti atyre që po punojnë për regjistrimin e popullsisë: Jini seriozë, e ardhmja jonë varet nga rezultati i këtij procesi
Kryeministri Albin Kurti dje zhvilloi një takim me regjistrues dhe mbikëqyrës, të cilët po punojnë për regjistrimin e popullsisë.
Takimi u mbajt në qytetin e Gjilanit, njoftoi Zyra e Kryeministrit këtë mëngjes.
Kurti, sipas ZKM-së, iu tha atyre se për të ardhmen e shtetit shumë do të varet nga puna e këtyre javëve të mbetura në procesin e regjistrimit, që nisi me 5 prill.
“Do të prodhohen të dhëna të shumta që do t’iu ndihmojnë, jo vetëm vendimmarrësve, por edhe shfrytëzuesve të tjerë sikurse Qeveria e shoqëria civile, pastaj bizneset, donatorët e investitorët, që të hartojnë politika, të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe të ofrojnë shërbime, që t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve e i respektojnë të drejtat e tyre”, tha Kurti, duke shtuar se ndarjet buxhetore që do të bëhen, do të bazohen gjithashtu në regjistrimin e popullsisë.
Kurti iu foli atyre për aspektet me rëndësi madhore të këtij procesi, duke përmendur parashikimet dhe planifikimet që tha se do të bazohen në regjistrimin e popullsisë.
“Ne jemi mbështetje për juve, por në ballë të kësaj beteje shumë të rëndësishme, që i tejkalon ciklet elektorale, jeni ju edhe unë ju falënderoj për punën dhe angazhimin që po e bëni deri tash edhe zotohemi që do t’ju mbështesim për punën e mëtutjeshme dhe për sfidat që do të mund t’iu dalin në rrugën tuaj drejt regjistrimit të popullsisë anembanë”, tha Kurti.
Fjala e plotë e Kurtit në takimin me regjistrues dhe mbikëqyrës të procesit të regjistrimit të popullsisë të shtunën në Gjilan:
Mirëmbrëma të gjithëve. Më vjen shumë mirë që ndodhem sonte në mesin tuaj, kur po e zhvillojmë procesin më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës sa i përket vendimmarrjes së përgjegjshme në javët, muajt, vitet e ndoshta edhe më shumë se aq në vijim dhe në anën tjetër sa i përket planifikimeve zhvillimore e alokimeve buxhetore, që do të duhet të bëjmë në çdo aspekt e në çdo nivel kur ta kemi pasqyrën e realizuar prej jush.
Paramendojeni një person, i cili përpiqet të përmirësohet ose rregullohet për nga dukja pa e pasur pasqyrën fare. Edhe ne nuk mund ta rregullojmë e përmirësojmë shtetin tonë nëse nuk ia prodhojmë pasqyrën së pari, e pasqyra e shtetit tonë në çdo komunë dhe jo vetëm, edhe në përgjithësi, por edhe më hollësisht se në çdo komunë, realizohet pikërisht nëpërmjet punës suaj, që ka filluar me datën 5 prill e do të vazhdojë edhe për 5 javë tjera, deri më 17 maj.
Ju e prodhoni pasqyrën e shtetit tonë, andaj shteti ynë për përmirësim e rregullim do të varet shumë nga puna e këtyre javëve të mbetura në procesin e regjistrimit, që nisi me 5 prill.
Do të prodhohen të dhëna të shumta që do t’iu ndihmojnë, jo vetëm vendimmarrësve, por edhe shfrytëzuesve të tjerë sikurse Qeveria e shoqëria civile, pastaj bizneset, donatorët e investitorët, që të hartojnë politika, të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe të ofrojnë shërbime, të cilat i plotësojnë nevojat e qytetarëve e i respektojnë të drejtat e tyre.
Politikbërja e bazuar në të dhëna është ajo, e cila të vërtetës ia shton saktësinë. Nuk mjafton me qenë i vërtetë, duhet të jesh edhe i saktë, e për të qenë i saktë ne kemi nevojë për të dhëna të sakta dhe gjithëpërfshirëse. Ato realizohen pikërisht nga pyetjet, të cilat ju i shtroni si regjistrues dhe nga mbikëqyrësit më pastaj, që e kanë aspektin komulativ të tyre, edhe për t’iu monitoruar juve si regjistrues, por në të njëjtën kohë edhe për t’i përmbledhur të dhënat më pastaj.
Unë mora vesh se janë 36 mbikëqyrës dhe 136 regjistrues. Shumë është me rëndësi që ta kuptoni qysh në këto gjashtë javë në përgjithësi, secili minutë, se jo secila orë është e vlefshme dhe ju kisha lutur që ta keni parasysh sa më shumë njerëz të regjistroni në orët e punës që i keni, për shkak se çfarëdo anashkalimi apo mbetje e paregjistruar e ndokujt, si ekonomi familjare, si biznes apo si qytetar individ, i kushton shtetit edhe atij personi vetë.
Ndarjet buxhetore që do të bëhen, do të bazohen në regjistrimin e popullsisë. Parashikimet dhe planifikimet gjithashtu do të bazohen në regjistrimin e popullsisë dhe ne dëshirojmë që kjo të jetë një shpërndarje e drejtë. Nëse kemi qytetarë të paregjistruar në ndonjë lagje ose komunë, kur të ndahet buxheti, do të bëjmë padrejtësi, sepse do të na duhet t’i ndajmë më pak buxhet seç e meritojnë, meqenëse ka njerëz të paregjistruar aty. Prandaj, për shpërndarje të barabartë e të drejtë, na nevojitet saktësia e të dhënave paraprakisht.
E di që është ndërmarrje komplekse, nuk është një pyetje ku përgjigjesh me po ose jo, as nuk është sikur sondazhet, që i organizojnë kompani të ndryshme, cila parti a politikan po të pëlqen. Është një pyetësor i hollësishëm edhe jo i thjeshtë. Por, është me rëndësi ta kuptoni që të gjithë akterët, prej Agjencisë së Statistikave të Kosovës, niveli qendror e lokal i qeverisjes, mbikëqyrësit e regjistruesit, ekspertët e fushës, mediat e deri te komunitetet, ju mbështesin juve, juve iu kemi në ballë të kësaj beteje dhe do të llogarisni në mbështetjen dhe në përkrahjen e pa kursyer e pa rezervë tonën, derisa të përfundojë ky proces, që e ka të rëndësishme mbarëvajtjen e brendshme dhe saktësinë e rezultatit në fund.
Tash, cilësia e plotësimit të pyetësorëve me të dhëna të sakta do të jetë vendimtare. Nuk është ideja vetëm ta kryejmë pyetësorin, por përgjigjet të jenë të sakta prej atij që është intervistuar. Kjo do të thotë që çfarëdo pakujdesie ose lëshimi, drejtpërdrejtë reflektohet në cilësinë e besueshmërisë së procesit e rrjedhimisht edhe në suksesin e gjithmbarshëm të tij.
Regjistruesit edhe mbikëqyrësit janë hallka kryesore. Në këtë proces ka edhe më shumë hallka, por ju jeni kryesorët. Nëse kryetari i komunës prinë në disa gjëra ose unë si kryeministër prij në disa të tjera, në këtë regjistrimin e popullsisë, ju prini. Ne jemi mbështetje për juve, por në ballë të kësaj beteje shumë të rëndësishme, që i tejkalon ciklet elektorale, jeni ju edhe unë ju falënderoj për punën dhe angazhimin që po e bëni deri tash edhe zotohemi që do t’ju mbështesim për punën e mëtutjeshme dhe për sfidat që do të mund t’iu dalin në rrugën tuaj drejt regjistrimit të popullsisë anembanë.
Tash ajo çka është me rëndësi që në punën tuaj ta keni parasysh, duhet të jeni fasilitator të paanshëm. Pra, ju nuk e pyesni qytetarin siç e pyet mësuesi nxënësin, që ta marrë vesh se a po e di përgjigjen në pyetjen që ka të bëjë me mësimin që porsa u dha. Pra, ju pyesni sepse nuk e dini përgjigjen. Ju nuk pyesni që ta merrni vesh a po e di përgjigjen ai që pyetet, por që të mësoni ju për të dhënat. Pra, shumë është e rëndësishme të mos krijohet raporti i mësimdhënësit me nxënësin gjatë pyetjes, për shkak se ju e keni qytetarin në fokus, ju jeni në ballë të betejës, por në fokus të këtij procesi është qytetari.
Qytetari siç thuhet është i zoti i shtëpisë në një republikë parlamentare demokratike e në këtë regjistrim të popullsisë ai është në fokus. Ai është në qendër. Pra ne kemi interes për përgjigjen e tij të cilën nuk e dimë paraprakisht, andaj kur ta bëni pyetjen duhet të siguroheni që me pyetjen tuaj po krijoni një ambient, po krijoni një atmosferë ku ne varemi prej qytetarit, përkatësisht prej përgjigjes së tij, e jo qytetari të përgjigjet duke menduar se a po ju pëlqen juve apo jo përgjigja që do të japë. Sepse nuk ka përgjigje e cila është e saktë përtej asaj çka thotë qytetari.
Pra, ajo çka thotë qytetari është përgjigja e saktë, pasaktësi mund të bëjmë ne nëse nuk e regjistrojmë siç e tha. Por nuk mundemi ne të pretendojmë që e dimë të vërtetën e përgjigjeve apo saktësinë e tyre. Mandej me përpikëri dhe me paanshmëri t’i transmetoni te qytetarët të gjitha pyetjet dhe përgjigjet e mundshme nga pyetësorët e regjistrimit pa shprehur asnjëherë jo preferencë apo nënkuptim apo paragjykim për përgjigjet do të japin qytetarët. Pra ju nuk keni preferencë. Duhet të jeni të paanshëm edhe objektiv. Preferencën e jep qytetari, jo ne si regjistrues të tij.
Me saktësi dhe kujdes i regjistroni përgjigjet e qytetarëve duke u siguruar që çdo përgjigje trajtohet dhe evidentohet duke i dhënë rëndësi me përkushtim të barabartë. Nuk bën një të riu t’ia merrni përgjigjet më seriozisht sesa një të moshuari ose anasjelltas. Një burri më shumë se një gruaje ose anasjelltas. Ju duhet në pyetjet që bëni në regjistrimin e përgjigjeve të siguroheni që trajtimin e keni të barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhje, feje, baze materiale etj.
Me profesionalizëm t’i trajtoni përgjigjet dhe të dhënat nga qytetarët duke e ruajtur privatësinë dhe konfidencialitetin e të dhënave personale të qytetarëve. Pra, përgjigjet që i merrni prej qytetarëve, pavarësisht a janë interesat apo nuk janë interesant, ato nuk bën t’i diskutoni me të tjerët. Ju i dorëzoni ato përgjigje dhe nuk ka diskutim më për atë çfarë keni dëgjuar. Ajo ngelet në letër. Në momentin që ju e plotësoni pyetësorin me përgjigjet e qytetarit e dorëzoni atë. Unë e di që kujtesa nuk fshihet, mirëpo duhet të fshihet nga kuptimi i juaj si burim i informacionit. Ju nuk jeni burim i informacionit dhe nuk guxoni të jeni burim i informacionit. I gjithë informacioni ndodhet në letrën që ju e dorëzoni në fund. Përkatësisht tash me tableta në raportin të cilin ju e dorëzoni. Është lajm i mirë që besoj që edhe këtu tash janë dhe hartat digjitale se në vikendin e parë kanë qenë harta fizike e tash janë edhe hartat digjitale.
Dhe në fund duhet ta keni parasysh tërë kohën që e ardhmja jonë do të varet nga rezultati i këtij procesi. Nëse procesin nuk e kemi kredibil, legjitim, me saktësi, me gjithëpërfshirje, atëherë qeveritë lokale e qendrore do ta kenë rrezikun shumë të madh të planifikimit zhvillimor dhe të ndarjeve buxhetore dhe ndikimi do të jetë shumë i madh tek qytetarët si pasojë e një procesi i cili nuk na doli siç është pritur nga ne e siç do të duhej.
Unë besoj që ju jeni mjaftueshëm vigjilentë, të vetëdijshëm, të sinqertë e serioz, profesional për punën që do të bëni, por provoni të punoni sa më shumë në këto ditë, të regjistroni sa më shumë qytetarë, ekonomi familjare, në mënyrë që ta kemi një regjistrim të popullsisë i cili do të na bëjë krenar për gjendjen tonë, për punën tuaj dhe për shanset për rregullim e përmirësim më të madh në vitet që vijnë.
Edhe njëherë faleminderit, se e di që puna juaj nuk po bëhet sot, ajo ka filluar tashmë nëntë ditë, andaj nxirrni sa më shumë mësime edhe prej përvojës, merrni të dhënat e sakta silluni mirë me qytetarë në mënyrë të paanshëm dhe objektiv dhe mos e diskutoni informacionin që e merrni sepse ne duhet të jemi garancion i privatësisë dhe i konfidencialitetit.
Faleminderit!