10 muaj nga vërshimet, rruga në Pejë ende e pa rregulluar

10 muaj nga vërshimet, rruga në Pejë ende e pa rregulluar

Aktuale April 13, 2024 - 23:42

Kalimi i rrugës, tash e disa muaj është kthyer në sfidë për banorët në lagjen Asllan Qeshme në Pejë.

I pa asfaltuar e me zhavorr, kjo rrugë që nga qershor i vitit 2023 është në këtë gjendje.

Dëmet e vërshimeve në këtë lagje të Pejës ende nuk janë rregulluar. Banorët, tash e 10 muaj e kanë të vështirë të kalojnë përmes kësaj rruge.

Me shumë kujdes edhe shoferët duhet të kalojnë këtë rrugë.

Çdo ditë këtë e shfrytëzon edhe Ramë Berisha i cili është banorë i kësaj lagje.

Ai tregon vështirësitë që po kanë gjatë qarkullimit.

“Prej vërshimeve e deri tash kemi pas shumë vështirësi.  Jan ardh ujësjellësi, për dy ditë dy herë është hapur kanali. Fjalë ka boll e punë nuk ka kurgjo, të enjten e kalume, është ardh bageri pastaj kamioni, veç qit rrugë qitu edhe ma si ka pa kush”, tha ai.

Kurse dikush tjetër nuk pret që gjatë këtij viti do të rregullohet kjo rrugë.

“Kjo  rrugë u kanë që dy vjet pa ndreq, tash edhe kjo që bëhen dy vite ska lidhje, jemi mësuar ne qashtu po mbajmë shpresa mbas një viti ndreqet”, tha qytetari, Erip Sadiku.

Nga komuna e Pejës kanë thënë se kanalizimi dhe ujësjellësi ka përfunduar.

Gjatë javës pritet të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës për rregullimin e kanalit të hapur.

Zvarritja e punimeve nuk është faji i tyre thotë zëdhënësi i kësaj komune, Faik Zekaj.

“Në “Asllan Qeshme” janë përfunduar ujërat e zeza dhe ujësjellësi. Është nënshkruar kontrata për rrugë, por nuk është përfunduar ende kanali i hapur atmosferikë. Kështu që e kemi ndalur një herë rrugën, po besoj javën tjetër përfundojnë procedurat e nënshkrimit të kontratës dhe pastaj përfundojnë procedurat me kanal të hapur, si të kryhet kanali rregullohet rruga.  Kjo tash spo varet krejt prej neve, po fitohen punët, pak me presion pak me lutje, se po kanë një afat që po ja ofron ligji dhe po duhet një marrëveshje me kompanit që më përfunduar në një kohë sa me të shpejt të mundshme”, tha ai.

Në muajin qershor të vitit që lamë pas, vërshimet shkaktuan dëme të mëdha në Pejë. Madje në lagjen “Asllan Qeshme”, dy persona humbën jetën./teve1