Asllani: UP-ja nuk është vend i sigurt për denoncimin e ngacmimeve

Asllani: UP-ja nuk është vend i sigurt për denoncimin e ngacmimeve

Aktuale April 12, 2024 - 19:08

Blenda Asllani nga Lëvizja Feministe Studentore ka thënë se reagimi i Universitetit të Prishtinës për rastin e profesorit, Xhevat Krasniqi të denoncuar për ngacmim seksual është skandaloz.

Ajo ka thënë se në këtë reagim më tepër ka një qortim publik për protestuesit dhe sipas saj, rasti është duke u trajtuar nga Këshilli i Etikës me joseriozitet dhe joprofesionalizëm.

“Deklarata në fjalë për të cilën po flasim si qëndrim zyrtarë i UP-së përveç se i vonuar është edhe skandaloz në vetvete, sepse krejt çka shihet në atë deklaratë është një lloj i qortimit publik për protestuesit dhe amnistim i joprofesionalitetit të Këshillit të Etikës…I kemi 27 denoncime dhe vajzat i kanë cek arsyejet se pse nuk kanë mundur me e denonucu, po ashtu këtu bjen faji edhe të UP-ja vet, pse nuk krijon hapësira të sigurta dhe vet mënyra se si Këshilli i Etikës e ka trajtu rastin dhe po vazhdon me e trajtu me joseriozitet dhe joprofesionalitet tregon këtë”, ka thënë ajo në Tëvë1.

Ajo tha se UP-ja ka nisur me trajtu rastin vetëm kur e ka parë se nuk po mundët me e shmangë nga trajtimi mediatik që i është bërë rastit në fjalë.

Asllani tha se UP-ja nuk është vend i sigurt për gratë e vajzat për t’i denoncuar ngacmuesit.

“UP-ja nuk është vendi më i sigurt për gratë dhe vajzat me i dënoncu ngacmimet seksuale…Kjo çka ka ndodhur është historike, sepse kur janë bërë një grup i cikave me e denoncu një profesor dhe kanë dalur shokët e tyre djemë për me dëshmu dhe më i përkrahë përvojat e tyre të hidhura me ngacmimet seksual në UP. Kjo tregon në të njëjtën kohë për një dështim të UP-së. Mendojë që më shumë më shumë duhet me u mediatizu rasti, edhe nëse është një denoncim, edhe nëse është 27, sepse për Këshillin e Etikës nuk po mjafton me e përjashtu një profesor të denoncuar për ngacmim seksual. Nuk është problemi me numrin, por sa po mirët vesh, e po dëmtohet reputacioni i UP-së prej kësaj”, ka deklaruar ajo.

Universiteti i Prishtinës, ka thënë se rasti i denoncuar për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi, është duke u trajtuar me urgjencë dhe seriozitet.

Në reagim është bërë thirrje nga palët që të përbahen nga çfarë do lloj presioni, duke bërë thirrje që protestat e organizuar për këtë rast të jenë të qeta dhe paqësore.