Eurokoha sjell Maltën si destinacion të ri në panairin e turizmit “Kosova 2024”
Foto: Laura Hasani

Eurokoha sjell Maltën si destinacion të ri në panairin e turizmit “Kosova 2024”

Aktuale April 12, 2024 - 14:22

Kompania turistike “Eurokoha” ka sjellë një risi këtë vit në panairin ndërkombëtar të turizmit “Kosova 2024”, i cili sot është hapur në Prishtinë.

Malta është destinacioni, i cili po promovohet këtë herë në Panair, për herë të parë si mundësi për pushime për kosovarët, kjo është bërë falë bashkëpunimit të këtij shteti me kompaninë kosovare “Eurokoha”, shkruan Zeri.info.

Image

Pronari i kompanisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi, u shpreh se me liberalizimin e vizave ka ardhur edhe zgjerimi i ofertave në Maltë, duke paralajmëruar edhe destinacione të reja.

“Deri tani ka qenë e kufizuar paketa turistike për shkak të liberalizimit të vizave, kemi qenë më shumë të orientuar në Shqipëri, Mal të Zi dhe Turqi, tani pas liberalizimit të vizave është mundësuar të zgjerohemi në vendet perëndimore dhe destinacioni i parë që promovohet këtë vit do të ketë hapësirë dhe mundësi do të jetë Malta”, tha Ejupi.

Ejupi, i cili është edhe konsull nderi i Maltës në Kosovë, tha se kompania “Eurokoha” pritet të zgjerohet me oferta të reja pas Maltës me Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Francën.

“Natyrisht që do të jenë edhe Greqia e Spanja dhe Italia, por me Maltën do të ketë oferta mjaft të larmishme për të gjitha kategoritë. Greqia është shumë atraktive dhe është shumë më afër, gjeneratat e më hershme e kanë frekuentuara shumë, por nuk përjashtohet as Franca dhe vendet tjera që i përmenda, të cilat do të angazhohemi që t’ju ofrojmë oferta atraktive”, shtoi ai.

Image

Në anën tjetër, edhe Autoriteti i Turizmit të Maltës, i cili është prezent në këtë Panair, u shpreh i kënaqur që për herë të parë po marrin pjesë dhe po promovojnë turizmin maltez në Kosovë.

“Është hera e parë e jona në Prishtinë, jemi duke marrë pjesë në panairin ndërkombëtar të turizmit “Kosova 2024”, me qëllim për të rritur potencialin turistik nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor drejt Maltës”.

“Malta nuk është vetëm destinacion veror, Malta ofron shumëçka në çdo stinë për të gjithë, si në histori, kulturë, ushqime, aktivitete dhe festa, me një fjalë gjithcka për çdo kë”, tha Yasmine Scorfna nga Autoriteti i Turizmit të Maltës për “Zërin”.

Image

Kujtojmë se Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, që është hapur sot, organizohet nga Unioni i Turizmit të Kosovës, në të cilën po marrin pjesë mbi 300 ekspozues nga 15 shtete të botës.

Image

Për herë të parë në këtë panair po marrin pjesë edhe ekspozues nga Malta, shtetet afrikane e Sllovenia. /Zëri

Image

Image