25-vjetori i masakrës së Lubizhdës, Haradinaj: Hasi dha shumë për atdheun

25-vjetori i masakrës së Lubizhdës, Haradinaj: Hasi dha shumë për atdheun

Aktuale April 12, 2024 - 10:06

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 54 shqiptarët e vrarë në Lubizhdë të Hasit, në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe.

Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se rajoni i Hasit dha shumë për atdheun.

Ai shprehet i lumtur që sot në Lubizhdë po finalizohet shtëpia muze “Kulla e Qëndresës, e cila sipas Haradinajt do të shërbejë si përkujtesë për sakrificën dhe kontributin e shumë brezave deri te liria, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Liria e atdheut, në themelet e saj, ka sakrificën e të rënëve dhe kontributin e shumë heronjve ndër breza. Rajoni i Hasit dha shumë për atdheun. Shumë burra nga kjo tokë ishin gjithmonë aty për të dhënë kontributin për liri e çlirim.

Kujtojmë sot 54 shqiptarë të kësaj ane që u ekzekutuan mizorisht mbi fshatin Lubizhdë të Hasit, nga data 12 prill 1999 për shumë ditë me radhë, shumë nga ta të rinj në moshë.

Derisa nderojmë dhe kujtojmë sakrificën e heronjve, jam i lumtur që në këtë ditë, në Lubizhdë po finalizohet shtëpia muze “Kulla e Qëndresës”, të cilës i patëm vu gur themel. Kjo kullë do të shërbejë si simbol i përkujtesës për sakrificën dhe kontributin e shumë brezave deri te liria.

Urime hasjanë për Kullën! Sakrifica e të rënëve dhe luftëtarëve të lirisë do të mbijetojë shekujt!