Kurani në zemrën e 75-vjeçares

Kurani në zemrën e 75-vjeçares

Aktuale April 11, 2024 - 08:23

Ndonëse në moshën 75-vjeçare, Hazbije Peja ka nisur të mësojë librin e Kuranit me përkushtim të madh pranë xhamisë së madhe në Prishtinë. Interesimi për të mësuar këtë libër po shtohet çdo herë e më shumë nga gjenerata të ndryshme.

Këndimin e Librit të Shenjtë po e bën me gjithë shpirt.

E pran Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Hazbije Peja vjen në kursin e Kuranit çdo javë.

Ndonëse 75-vjeçare, vullneti i saj për mësim/besim është i madh.

Ndërsa dëshirën për të ditur leximin e tij e ka pasur që nga fëmijëria.

“Unë si e vogël kam pasë dëshirë me mësu se jam e Vushtrrisë e kah kam kalu kah xhamia gjithmonë aty kanë mbajtë kurse çikat e reja më herët. Kur i dëgjoja t’u këndu ilahia më vijke lezet ashtu edhe mue”, tha Hazbije Peja.

E gjatë këtij muaji të bekuar, Peja e përfundoi dy herë leximin e Kuranit.

“Knaqna, sa herë ta lexoj kënaqna, edhe gjithë edhe fëmijëve ju them çikave kur jam t’u lexu, mos me pengoni. S’kam qejf me m’pengu, se e du shumë, e du më shumë se krejt jetën teme. E du shumë Kuranin. Kjo është drita e shpirtit tem”, u shpreh zonja Hazbije.

E fillestare në leximin e Kuranit është edhe 66-vjeçarja, Arife Zejnullahu.

“T’drejtën me ju thanë ka qenë shumë vështirë, ka pasë edhe raste që shumë herë kam dashtë me ndërpre…Besoni që për që filloj edhe me Kuran, shumëkush prej familjarëve të mi po habitet, disa s’po besojnë, qysh po arrin a ke mësu, a është e mundur që po din”, deklaroi Arife Zejnullahu.

E interesimi për të mësuar Kuranin po shtohet çdoherë.

“Interesimi është shumë i madh dhe jemi të kënaqur. Ka ndryshu prej viteve të para dhe interesimi është rritë çdoherë. Moshat i kemi prej moshës gjashtë vjeçare deri në moshën 80 vjeçare kemi të interesuara të cilat kanë viju mësim/besimin pranë Këshillit të Prishtinës”, deklaroi mësuesja e Kuranit, Kadrije Dragusha-Ademi.

Kursi për mësimin e Kuranit për gra mbahet dy herë në javë dhe është i ndarë në katër grupe, varësisht nga avancimi i mësim/besimit.