Organizatat i shkruajnë OKB-së, kërkojnë dëmshpërblim për komunitetet RAE në Kosovë që u helmuan duke iu ekspozuar plumbit

Organizatat i shkruajnë OKB-së, kërkojnë dëmshpërblim për komunitetet RAE në Kosovë që u helmuan duke iu ekspozuar plumbit

Aktuale April 09, 2024 - 16:05

Disa organizata që merren me çështje të të drejtave të njeriut i kanë shkruar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe përfaqësueses së tij speciale në Kosovë, shefes së UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, me anë të së cilës kanë kërkuar zgjidhje për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët që ishin helmuar me plumb nën administratën e OKB-së, kur ishin vendosur në kampet në veri të Kosovës gjatë luftës në vend.

Ato kanë kërkuar që viktimat e këtyre komuniteteve të dëmshpërblehen.

“Ne, organizatat e nënshkruara që punojmë për avancimin e të drejtave të romëve, po ju shkruajmë për t’ju nxitur që të punoni së bashku për ta zgjidhur përfundimisht situatën e komuniteteve rome të helmuara nga plumbi në Mitrovicë, Kosovë, duke ofruar dëmshpërblimet e vonuara për viktimat”, thuhet në krye të letrës.

Banorët romë, ashkalinj dhe egjiptianë që ishin zhvendosur në kampet në veri të vendit, për mbi një dekadë i ishin ekspozuar plumbit derisa OKB-ja shërbente si administratë e përkohshme në Kosovë. Situata e rëndë kishte rezultuar me disa vdekje, sëmundje dhe problemeve të tjera shëndetësore mes atyre që ishin atje. Ky ishte konsideruar si “problemi më serioz humanitar dhe mjedisor në Europë”.

“Kanë kaluar tetë vjet që kur Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut i themeluar nga OKB-ja e gjeti Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut në lidhje me helmimin me plumb në një rast të ngritur nga avokatja për të drejtat e njeriut Dianne Post. Paneli i bëri thirrje UNMIK-ut që ta paguajë kompensim adekuat si për dëmin material ashtu edhe për atë moral të pjesëtarëve të komunitetieve rom, ashkali dhe egjiptian që banonin në kampe dhe të kërkojë falje publike për viktimat dhe familjet e tyre, ndër rekomandimet e tjera. Megjithatë, fondi i mirëbesimit i krijuar nga OKB-ja për komunitetet RAE mbetet kryesisht i pafinancuar dhe nuk ndreq dëmin e pësuar nga viktimat. Viktimat ende nuk e kanë marrë kompensim për dëmtimet e tyre ose aksesin në kujdesin mjekësor për t’i trajtuar efektet e vazhdueshme të helmimit nga plumbi”, thuhet në letrën dërguar OKB-së.

Organizatat përmendën ankesat që për këtë i kishin bërë edhe zyrtarë globalë që merren me çështje të të drejtave të njeriut dhe institucione e organizata prestigjioze si Parlamenti Europian dhe Human Rights Watch.

“Ne mirëpresim iniciativën e Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar për të nxjerrë në pah këtë çështje në një ngjarje anësore të fundit të OKB-së dhe u bëjmë thirrje shteteve të tjera anëtare ta mbështesin një zgjidhje të drejtë të kësaj çështjeje. Refuzimi i OKB-së për ta pranuar llogaridhënien në Kosovë dëmton si viktimat ashtu edhe komunitetin rom anembanë Europës. Si organizata të përkushtuara për ndërtimin e komuniteteve RAE dhe krijimin e një të ardhmeje të bazuar në drejtësi, ne i bëjmë thirrje OKB-së që të sigurojë drejtësi për komunitetet e prekura në Mitrovicë. OKB-ja duhet ta transformojë vendimin e Panelit në rezultate konkrete duke ofruar dëmshpërblim adekuat për anëtarët e komuniteteve të prekura. Mbyllja e këtij kapitulli të dhimbshëm në histori do të jetë një hap monumental për të siguruar që komunitetet RAE në mbarë Kosovën të mund të lulëzojnë”, thuhet në fund të kësaj letre.

Kampet ku kishin qëndruar pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ishin ngritur pranë kompleksit të minierës së Trepçës, i njohur si shkaku i helmimit me plumb dhe toksina të formave të tjera që prej viteve 1970.

Atje ishin dërguar atje për t’u stehuar përkohësisht për 90 ditë, por kishin përfunduar duke qëndruar disa vjet.

Në vitin 2016 OKB-ja kishte ngritur një panel me mbrojtës të të drejtave të njeriut për t’i shqyrtuar thirrjet për ta konsideruar Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) përgjegjës që i kishte lënë familjet e komuniteteve RAE të ekspozuara ndaj helmimit nga plumbi në kampe.

Paneli i kishte bërë thirrje UNMIK-ut të pranonte publikisht dështimin e tij në përmbushjen e standardeve të duhura të të drejtave të njeriut në përgjigje të kushteve të dëmshme shëndetësore të shkaktuara nga ndotja me plumb në kampe dhe t’i kompensonte viktimat.

Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres kishte thënë në vitin 2017 se ishin “shumë i vetëdijshëm” për gjendjen e vështirë të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve të Kosovës që i kishin vuajtur helmimet nën administrimin e OKB-së si pasojë e drejtpërdrejtë e zhvendosjes së detyruar të tyre në kampet në veri të Kosovës. /eo