Nagavci kërkon nga Këshilli i Etikës t’i trajtojë pa vonesë rastet e ngacmimeve seksuale në UP
Foto: Laura Hasani

Nagavci kërkon nga Këshilli i Etikës t’i trajtojë pa vonesë rastet e ngacmimeve seksuale në UP

Aktuale April 09, 2024 - 15:44

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se pret nga Këshilli i Etikës t’i trajtojë pa vonesa rastet e ngacmimeve seksuale brenda Universitetit të Prishtinës.

Nagavci, përmes një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta në lidhje me denoncimin në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës të disa rasteve për pretendime të ngacmimeve seksuale, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Ditëve të fundit kemi parë reagime të shumta në lidhje me denoncimin në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës, të disa rasteve për pretendime të ngacmimeve seksuale.

Rastet e pretenduara, me të drejtë paraqesin shqetësim, po aq sa edhe janë dëshmi se në Universitetin e Prishtinës tashmë janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim ashtu si dhe kërkesat e domosdoshme që secili pjesëtar i stafit akademik dhe punonjës të tjerë të UP-së, të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës, sjelljes akademike dhe kontributit për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë.

Si ministre e Arsimit pres nga Këshilli i Etikës si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ.

Po ashtu, pres nga UP-ja dhe të gjitha institucionet arsimor që të rrisin masat e parandalimit e të avancojnë mekanizmat e trajtimit konfident, të shpejtë dhe profesional të këtyre rasteve.