AP: Kritikët e Perëndimit thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin të ndërhyjë në Kosovë
Foto: Laura Hasani

AP: Kritikët e Perëndimit thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin të ndërhyjë në Kosovë

Aktuale April 09, 2024 - 15:39

Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë "Rafale", njoftoi të martën presidenti serb, në atë që do të shënonte një ndryshim nga furnizuesi i saj tradicional ushtarak Rusia, kështu ka shkruar mediumi i njohur, Asociated Press në një artikull.

Sipas AP-së, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, foli gjatë vizitës së tij dyditore në Paris dhe bisedimeve me presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me zyrtarë francezë të mbrojtjes, duke përfshirë prodhuesin e "Rafale Dassault Aviation".

“Vuçiqi tha se ai pati një bisedë shumë të mirë me Macron të hënën mbrëma, e cila zgjati më shumë se tre orë dhe se ata ‘arritën marrëveshje konkrete në lidhje me blerjen e avionëve luftarakë Rafale’. Ai tha se kontratat do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm në prani të Macronit, duke shtuar se blerja e avionëve të sofistikuar do të zgjerojë në mënyrë drastike bashkëpunimin ushtarak dhe të tjera midis dy shteteve”.

“Detajet financiare të marrëveshjes së mundshme nuk janë bërë të ditura, por media pro-qeveritare serbe e vlerësoi atë në rreth 3 miliardë euro (3.2 miliardë dollarë) për të gjithë paketën. Serbia ka konsideruar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet që kur rivalja fqinje e Ballkanit, Kroacia bleu 12 avionë luftarakë të përdorur të të njëjtit lloj për rreth 1 miliard euro”, thuhet në artikullin e AP-së.

Tutje, AP-ja shkruan se blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë jugosllavë të vjetër.

“Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë, për Serbinë, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë. Armatosja e shpejtë nga ushtria serbe ka shqetësuar disa nga fqinjët e saj pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia, një kandidate e Bashkimit Evropian, është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s”.

“Kritikët e armatosjes perëndimore të Serbisë thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin që ndoshta të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovën fqinje, një ish-krahinë serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Udhëheqësi populist serb ka bërë disa kërcënime të tilla të fshehta gjatë muajve të fundit”, shkruan AP-ja. /klankosova