Kryesuesi i OSBE-së të enjten në Kosovë, takime me krerët e shtetit

Kryesuesi i OSBE-së të enjten në Kosovë, takime me krerët e shtetit

Aktuale April 09, 2024 - 14:59

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, do ta vizitojë Kosovën të enjten, më 11 prill.

Kryesuesi i OSB-së pritet që gjatë vizitës në Kosovë të ketë takime me krerët e shtetit. Ai do të takohet me kryeministrin, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai gjithashtu do të mbajë takime me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport dhe stafin e misionit, do të takojë edhe pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.

Kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave.

Sipas njoftimit, ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE-ja.

Ministri Borg do të takohet edhe me peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe.

Kryesuesi Borg do të ketë një prononcim të shkurtër për media në selinë e Misionit të OSBE-së në Kosovë në Prishtinë, në orën 16:30.