Abdixhiku kujton Betejën e Koshares: Një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit XX

Abdixhiku kujton Betejën e Koshares: Një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit XX

Aktuale April 09, 2024 - 14:39

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar Betejën e Koshares në 25-vjetorin e saj.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se 25 vjet më parë djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar, e me këtë akt ata nisën dhe një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të XX, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë: 

Një çerek shekulli nga beteja e madhe e Koshares. Sot, me të gjallët triumfalistë, nderuam të rënët e përjetësisë. 25 vjet më parë, në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar. Me këtë akt, ata nisën dhe një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të.

Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët.

Sot, nderojmë gjithë të rënët; falënderojmë gjithë të gjallët. Sot, kujtojmë të 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë, na kujtojnë se sa rëndë peshon liria, se mbi çfarë sakrifice të shtrenjtë të djemve e vajzave të UÇK-së - gjeneratat e sotme e përjetojnë shtetësinë.

Sot, kujtojmë dhe nderojmë po ashtu francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider.

Familjarët e Francesco Giuseppe Bider patëm nderin t’i takojmë sot pran varit të tij. Me mburrje, i vëllau, na tregoj dhe kapelën ushtarake të gjyshit e babait të tij; që qëndronte pranë një plisi shqiptar - si trashëgimi familjare. Francesko ishte vullnetar në Koshare. Ai ra, për lirinë tonë e breznive që vijnë!

Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë - Kosovës. Lavdi dëshmorëve!