25-vjetori, Bllaca propozohet të shndërrohet në vend pelegrinazhi

25-vjetori, Bllaca propozohet të shndërrohet në vend pelegrinazhi

Aktuale April 08, 2024 - 19:46

Qindra mijëra refugjatë në gjendje të rënduar. Shumica nga ta janë fëmijë, gra e të moshuar.

Kjo ishte pamja që ofronte Bllaca, në prillin e vitit 1999.

Kosovarët që po iknin nga lufta, paqen po synonin ta gjenin tek shqiptarët e Maqedonisë.

Ndër ta ishte edhe Vigan Qorolli, sot zëvendësministër i Drejtësisë.

Vigan Qorolli – Zv.ministër i Drejtësisë shtoi se “ Ditët më të rënda të jetës së njeriut ishin këto përjetime tmerri sepse qindra mijëra njerëz u desh që t’i kalon ditët në qiell të hapur, nëpër mot të ligë e në mungesë kronike të ushqimeve, fatkeqësisht pati dhjetëra vdekje, fëmijë e pleq të cilët sot këtu në Hanin e Elezit i kujtojmë me shumë mall dhe krenari”

Në 25 vjetorin e këtij eksodi, dikush po kërkon që kjo hapësirë të marrë një status të veçantë.

Skënder Asani –Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup tha se“Ideja jonë ishte dhe mbetet që Bllaca të shndërrohet në një vend peligrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat. Me këtë ide i dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve por edhe shprehin një protestë dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë”

Deri tash, kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, thotë se ngjarja nuk e kishte vëmendjen e duhur.

Mehmet Ballazhi – Kryetar i Hanit të Elezit shtoi se “Nuk po i jepet vlera e duhur kësaj ngjarje. Unë mendoj se ky është një holokaust shqiptar, që do të duhej të ishte në vëmendjen e të gjithë pushtetarëve, qofshin qeverive lokale e qofshin qendrore. Duhet që t’i kushtohet një rëndësi më e madhe kësaj ngjarje.

Madje, përvjetori shënohet në dy data, më nëntë dhe dhjetë prill.

Mehmet Ballazhi – Kryetar i Hanit të Elezit deklaroi tutje se “Unë si kryetar komune jam mes dy datave dhe vërtet nuk po mund të pajtohem me këtë mënyrë të organizimit. E këtu do të ishte mirë një iniciativë nacionale, edhe e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut edhe të qeverisë së Kosovës këtu, ndoshta edhe të Shqipërisë që të gjindet një gjuhë e përbashkët, të gjindet një datë”

Në organizimin e 25 vjetorit, morën pjesë pak qytetarë. Shumica e pjesëmarrësve ishin përfaqësues të institucioneve.

Mirsad Shkreta – Deputet i VV-së deklaroi se “Ka qenë një tmerr jo vetëm për qytetarët e Hanit të Elezit mirëpo për gjithë Kosovën. Unë kujtoj që ngjarjet e tilla përveç që janë domosdoshmëri për ta ruajtur kujtesën tonë të vuajtjes popullore, mendoj që duhet të jemi edhe të vetëdijshëm për dokumentimin e fakteve”

Treni, i cili nga Kosova, barti një pjesë të shqiptarëve për në Maqedoni, vazhdon të qëndroj në Bllacë si një objekt kujtese./dukagjini