Kurti kujton dëshmorët në Polac: Obligim moral të mos lejojmë që e vërteta të zbehet
Foto: Facebook

Kurti kujton dëshmorët në Polac: Obligim moral të mos lejojmë që e vërteta të zbehet

Aktuale April 08, 2024 - 08:38
Kurti viziton familjen e Nurije Kabashi-Vojvodës në Skenderaj, forcat serbe ia vranë disa anëtarë të familjes

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë për liri në Polac.

Ai ka vizituar familjen e Nurije Kabashi Vojvodës në Skenderaj, ku forcat serbe ia kanë vrarë disa anëtarë të familjes.

“Pas aterrimit në aeroportin ‘Adem Jashari’, u nisa për në Polac, për të shprehur nderimin më të thellë ndaj martirëve dhe dëshmorëve të rënë për liri. Pas homazheve në Kompleksin Memorial të martirëve në Polac, vizituam familjen e zonjës Nurije Kabashi Vojvodës, në ‘Lagjen 3’ të Skenderajt”, thotë Kurti.

Tutje, ai ka shkruar se më 7 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë, zonjës Nurije ia kanë vrarë të atin, Emin Kabashi 59 vjeç dhe dy vëllezërit, Islamin, 21 vjeç dhe Nehatin, 17 vjeç.

Ai ritheksoi se përkujtimi i viktimave dhe dëshmorëve, krahas së qenit obligim moral, është edhe obligim institucional, që të mos lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë.