Vlerësohet i drejtë vendimi që Policia të shfrytëzojë mjete të konfiskuara
Foto: Laura Hasani

Vlerësohet i drejtë vendimi që Policia të shfrytëzojë mjete të konfiskuara

Aktuale April 08, 2024 - 08:30

Mjetet e punës për organet e rendit nuk janë të blera gjithmonë nga Republika e Kosovës, e as si donacione.

Një pjesë e mjeteve janë të personave që kanë kryer vepra penale, e që me vendim gjyqësor u janë konfiskuar mjetet.

Si vendim i drejtë shihet lënia në shfrytëzim i mjeteve të konfiskuara për forcat e rendit, duke marrë parasysh mungesën e investimeve në këtë institucion.

“Meqë aktualisht nuk është bërë ndonjë investim në objektet e policisë së Kosovës, është vlerësuar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, se policia ka nevojë për objektet dhe kështu që mendoj se është një vendim i drejtë dhe i qëlluar”, thotë Avni Islami, njohës i sigurisë.

Mirëpo, a mund të ndikojnë në imazhin e Policisë së Kosovës përdorimi i këtyre mjeteve?

“Në parim nuk ka asnjë problem të dëmtimit të imazhit. Natyrshëm që do duhej të rinovoheshin dhe t’u përshtateshin nevojave të policisë. Policia ka kapacitete të mjaftueshme në flotën e saj që t’i bëjnë modifikimet e ndryshme që t’i humbin gjurmët e asociimit me kryerjen e ndonjë vepre penale”, vlerëson, Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Brendshëm.

Vlera e armatimit të konfiskuar në veri të vendit, pas sulmit të Banjskës, llogaritet të jetë pesë milionë euro. /teve1