Shtëpia në Landovicë që ende ruan gjurmët e luftës

Shtëpia në Landovicë që ende ruan gjurmët e luftës

Aktuale April 07, 2024 - 20:31

Pothuajse çdo cep i kësaj shtëpie pasqyron krimin që u krye nga forcat serbe më 26 mars të 1999.

Për 24 orë me radhë shtëpia e familjes Gashi, në Landovicë u bombardua me artilerinë më të rëndë të armëve, nga serbët, ndërkohë që brenda ishin duke qëndruar rreth 40 persona.

Granata e parë që u hodh në këtë shtëpi, vrau Njomza Morinën, vajzën 15-vjeçare, që së bashku me familjen e saj po strehoheshin aty.

Të gjithë ngjarjen e përjetoi edhe Arben Gashi, i cili po aty humbi edhe disa anëtarë të familjes.

“Neve diku rreth orës 11 kanë qenë edhe banorë, të lagjeve të tjera, që kanë ardhur te ne kinse të shpëtojnë rrethimit, në orën 11 kanë filluar bombardimet, ku janë vrarë 12 persona, e 12 janë plagosur, kur kanë filluar bombardimet e para është vrarë Njomza Morina në moshën 15-vjeçare, dhe kur është vrarë Njomza, kanë filluar banorët të largohen nga shtëpia kinse të largohen në drejtim të pyllit e të shpëtojmë, kur kemi dal kanë filluar bombardimet me artilerinë më të rënë, ku na kanë sulmuar”, tha i mbijetuari, Arben Gashi për Dukagjinin.

Gashi i cili është pronar i kësaj shtëpie, thotë se kujtimet e errëta të marsit të 1999, i kanë detyruar të largohen nga aty, e të jetojnë në Prizren, por që gjurmët e asaj çka ndodhi kanë vendosur t’i ruajnë.

Përveç mos ndihmesës për të ruajtur dëshmitë e një krimi që u krye aty, asnjë nga udhëheqësit e shtetit të dikurshëm e të tanishëm nuk kanë vizituar ndonjëherë ketë vend.

“Këtë shtëpi e kemi ruajtur që në të shihet çka ka ndodhur, se kjo është një fakt I gjallë që shihet, një histori por institucionet e tona edhe pasi ka kaluar një çerek shekulli s’kanë ndërmarr asgjë,” shtoi Gashi.

Babi i Arbenit, Ismeti ishte avokat gjatë luftës, ku në mesin e shumë të burgosurve në kohën e luftës, mbrojti edhe Ukshin Hotin. Gashi ndonëse i ri në moshë, ende i ka të freskëta bisedat me të atin për veprimtarin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur ende.

“Prindi im si avokat ku e thotë se Ukshin Hotin e dënuat pa kurrfarë baze ligjore dhe shumë shpejtë do shihemi me Ukshin Hotin në Kosovën e lirë dhe Shqipërinë e bashkuar,” u shpreh i mbijetuari.

Trupat e të vrarëve në këtë shtëpi, u gjetën më 2004, në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë, derisa dy trupat e vajzave 15-vjeçare që u vranë po atë ditë, ende nuk janë gjetur.

Në mesin e të vrarëve është edhe Diellza 1-vjeçare, e cila vdiq në duart e nënës së saj, po ashtu të vrarë.

“E ka pas në krahë Diellzën nëna e vet, dhe granata që bie i rrok të dyja…”