Arrestohet gazetari shqiptar i Maqedonisë së Veriut Furkan Saliu, reagon SHGM-ja

Arrestohet gazetari shqiptar i Maqedonisë së Veriut Furkan Saliu, reagon SHGM-ja

Aktuale April 07, 2024 - 20:17

Gazetari Furkan Saliu është arrestuar sot nga njësia speciale e policisë, njofton PortaliX.

Sipas raportimit të PortaliX, ngjarja ka ndodhur në fshatin Konjare, pas ndeshjes së futbollit Konjare – K.F. Kumanova, ndeshje në kuadër të Ligës së Tretë të Maqedonisë së Veriut.

“PortaliX konsideron se veprimi i sotëm i njësisë speciale ndaj gazetarit Saliu është tërësisht i dirigjuar dhe tentim qyqar për të ushtruar presion ndaj gazetarisë së lirë të cilën e praktikon PortaliX”, thuhet në reagimin e PortaliX, portal ku është bashkëthemelues edhe Saliu.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar duke thënë se me këtë shkelet fjala e lirë dhe liria e punës së gazetarëve.

Pas arrestimit të gazetarit Furkan Saliu, kanë reaguar shoqatat e gazetarëve, SHGM-ja dhe Sindikata, të cilat kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gazetarit të PortaliX, ndërsa Ministria e Brendshme të bëjë të ditura arsyet e arrestimit të tij.

“SHGM-ja dhe Sindikata e Gazetarëve apelojnë që çështja të zbardhet menjëherë, të mos cenohen të drejtat e kolegut Saliu dhe të mos e përdorin partitë politike në betejat e tyre ditore politike dhe për qëllime partiake të fushatës zgjedhore”, thuhet në kumtesën e organizatave të gazetarëve.

Nga MPB-ja në raportin e dërguar mediave kanë thënë se Saliu dhe të ndaluarit tjerë kanë penguar policinë në kryerjen e detyrës.

Image