U mbajt takimi i radhës mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal, diskutohet për regjistrimin e popullësisë
Foto:Laura Hasani

U mbajt takimi i radhës mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal, diskutohet për regjistrimin e popullësisë

Aktuale April 05, 2024 - 17:32

Sot është mbajtur takimi i shtatë i përbashkët mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal e që për qëllim kishin zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Temë kryesore ishte fillimi i procesit të regjistrimit të popullësisë dhe koordinimi mes komunave dhe Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, raporton Zeri.info.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit, do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Duke theksuar nevojën për bashkëpunim mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të Republikës, ai bëri thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët në një ndërmarrje tejet të rëndësishme institucionale të vendit tonë.

“Angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës.” u shpreh Kurti.

Bëhet e ditur se këtë regjistrim të popullsisë, për herë të parë, është përfshirë pyetësori i dëmeve në ekonomitë familjare të popullit tonë nga lufta e viteve 1998/1999. Qytetarët, do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999.

Kurti deklaroi se është thelbësore që të bashkojmë forcat, për qëllimin e përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe brezave që do të vijnë pas nesh.

“Andaj, në frymë të bashkëpunimit, u ftoj që të angazhohemi bashkë për të kontribuar në këto dy procese kaq të rëndësishme për Republikën tonë, për historinë tonë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh ndër tjera Kurti.

Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është pa dyshim jetik për funksionimin e shoqërive duke theksuar se angazhimi i komunave do të ndikojë drejtpërdrejt që ky proces të këtë sukses në secilën pjesë të Republikës. /Zëri