“Serbia po e mban peng minoritetin serb në Kosovë”
Foto: Laura Hasani

“Serbia po e mban peng minoritetin serb në Kosovë”

Aktuale April 04, 2024 - 22:55

Njohësit e çështjeve politike në vend, Flamur Hyseni, profesor universitar dhe Bardhyl Hasanpapaj, analist, folën për situatën në vend, për takimet e krerëve të shtetit më ambasadorë të QUINT-it, dhe me theks të veçantë për dialogun në Bruksel.

Duke folur për rregulloren e BQK-së për dinarin, dhe implikimet që mund t’u dalin disa qytetarëve në veri, Hasanpapaj tha se është një kategori e njerëzve që kanë probleme dhe Kosova duhet të tregojë një gjenerozitet.

Ndërkaq profesori Hyseni tha se BQK si institucion me përvojë i ka menduar mirë këto sfida, derisa shtoi se në terren mund të ndodhin probleme të ndryshme dhe mund të gjenden modalitete.

Ai tha se për këtë edhe kryeministri Kurti është zotuar se institucionet e vendit janë të gatshme të dalin në ndihmë.

“Insistimi i Serbisë për ta përdorur me çdo kusht dinarin brenda Kosovës është një lloj sfide ndaj sovranitetit shtetëror”, tha mes tjerash Hyseni.

E Hasanpapaj vuri në pah se presioni i ndërkombëtarëve ndaj Kosovës është i madh. Ai shtoi se janë dy tema: dinari si valutë dhe paraja “cash”, për të cilat qeveria e Kosovës ka kërkuar transparencë për këto çështje.

Tutje ai përmendi banka të ndryshme që janë të licensuara edhe në Kosovë edhe në Serbi, dhe tha se pagesa mund të bëhet përmes këtyre bankave, por, shtoi se po të realizohej kjo, do të nënkuptohej se Serbia do ta njihet Kosovën.

“Ajo që ka bërë Kosova deri më tani është nuk është kundër serbëve, përkundrazi, është për rend dhe ligj në vend”, tha Hasanpapaj, në RTK.

Ai shtoi se një tolerancë e qeverisë së Kosovës, sidomos kur është edhe kërkesë e ndërkombëtarëve, është e domosdoshme dhe në prag të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ne duhet të jemi sa më konstruktivë.

Analistët thanë se minoritetin serb në Kosovë po e mban peng Serbia, derisa theksuan se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme në qasjen e zgjidhjes së këtij problemi në terren dhe të ketë bashkëpunim me ndërkombëtarët.