Sekuestrimi i pronave të Radoiçiqit, Murati: Ligjin për Byronë opozita e ka dërguar në Kushtetuese, kjo flet shumë për ta
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar të enjten listën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Millan Radoiçiq.
Postimin e saj në Facebook e shpërndau edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ai këtë rast e ka lidhur me nevojën për Byronë për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme.
Atë ligj opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, por Murati thotë se kjo “flet mjaftueshëm për opozitën”.
“Qe pse duhet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ligjin për Byronë opozita e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Kjo flet mjaftueshëm për opozitën”, ka shkruar Murati.
Ndryshe, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme të Millan Radoiçiqit në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.