Lista Serbe del me reagim propagandues kundër konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së Radoiçiqit

Lista Serbe del me reagim propagandues kundër konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së Radoiçiqit

Aktuale April 04, 2024 - 18:22

Lista Serbe ka lëshuar një reagim propagandues kundër aksionit të sotëm të autoriteteve kosovare të cilat basitesën dhe konfiskuan pasuri të kryeterroristit të Banjskës, Millan Radoiçiq.

Sipas tyre më këto aksione, kryeministri Albin Kurti, po tenton t’i frikësojë serbët.

“Sot në Mitrovicë, në bazë të urdhrit të Albin Kurtit, me qëllim të përshkallëzimit shtesë, në mënyrë të paligjshme dhe të paarsyeshme iu mor shtëpia dhe çatia mbi kokë fëmijëve të Millan Radoiçiqit nga Kosova, por edhe për të frikësuar të gjithë serbët dhe për t’u dhënë atyre një mesazh se nuk kanë vend këtu”, thekson mes tjerash Lista Serbe në reagimin e saj.

“Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb pyesim veten nëse presioni për emigrimin e serbëve dhe fëmijëve serbë është bërë gjë normale dhe vlerë evropiane e shekullit XI? A është faji i secilit prej nesh sepse ai është serb, dhe kjo është një arsye mjaft e mjaftueshme për shtypje dhe dëbim nga ky rajon? A janë të vetëdijshëm përfaqësuesit ndërkombëtarë se duke heshtur janë bërë bashkëfajtorë të dukshëm në dëbimin e serbëve?”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sot gjatë ditës është bërë konfiskimi i restorantit dhe banesës së Millan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjskë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.

Lista Serbe, partia që gëzon mbështetjen e Beogradit, deklaroi se konfiskimi i pasurisë së Millan Radoiqit është i paligjshëm dhe i pabazuar dhe se synon “përshkallëzimin” dhe “largimin e serbëve nga Kosova”.

Ky është reagimi i parë i Listës Serbe për ngjarjet në lidhje me Millan Radoiçiqin pas sulmit në Banjskë. /Zëri