Haxhiu: 31 mjetet transportuese që u konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjskë iu dhanë në shfrytëzim Policisë
Foto:Laura Hasani

Haxhiu: 31 mjetet transportuese që u konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjskë iu dhanë në shfrytëzim Policisë

Aktuale April 04, 2024 - 13:29

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se 31 mjetet transportuese që janë konfiskuar në Banjë të Zveçanit pas sulmit terrorist të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, i janë dhuruar Policisë së Kosovës për shfrytëzim.

Haxhiu ka thënë se këto mjete i janë dhënë për përdorim Policisë së Kosovës.

“Para pak kohës, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar ose të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës, që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese, të cilat ndërlidhen me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, pra rasti ‘Banjska’. Pra janë 31 mjete të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka”, u shpreh ajo.

“31 mjete transportuese i janë konfiskuar Millan Radoiçiqit me vendim te Ministrisë së Drejtësisë, te njëjtat i janë dhënë për përdorim Policisë së Kosovës për nevojat e tyre. Jemi të befasuar se si ende pas sulmit ne Banjskë nuk ka aktakuzë për kryekrimineli Millan Radoiçiq dhe grupin e tij. Unë i bashkohem thirrjes se kryeministrit, Serbia duhet ta ekstradojë Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij, që të njëjtët të dalin para drejtësisë, sepse ata tashmë janë vendosur edhe në listën e INTERPOL-it”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu të mërkurën ka njoftuar se ka nisur zbatimi i urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin “Banjska”.

Ajo ka thënë se Agjencia e Administrimit të Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka nisur identifikimin e pasurive të përmendura në urdhër, duke përfshirë edhe vilën që konsiderohet të ketë qenë e Millan Radoiçiqit.