Kurti dhe Peachi flasin për zhvillimet në rajon, theksi te sundimi i ligjit dhe siguria

Kurti dhe Peachi flasin për zhvillimet në rajon, theksi te sundimi i ligjit dhe siguria

Aktuale April 04, 2024 - 11:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Zhvillimet në rajon, me theks në sundimin e ligjit dhe sigurisë, ishin temë e diskutimit dhe e interesimit të përbashkët. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se ligjshmëria dhe siguria shkojnë bashkë.

Në një komunikatë nga Qeveria, thuhet se në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peachin reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti”, thuhet në njoftim.

Ai falënderoi Lord Stuart Peachin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë.

Kujtojmë që në përgjigje të sulmit terrorist dhe paramilitar me 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë, në tetor të vitit të kaluar Mbretëria e Bashkuar mori vendim për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që iu bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. /Zëri