Kryeziu-Hyseni: E vështirë të gjendet zgjidhje nesër në takimin e Brukselit

Kryeziu-Hyseni: E vështirë të gjendet zgjidhje nesër në takimin e Brukselit

Aktuale April 03, 2024 - 23:52

Të enjten në Bruksel, do të takohen kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, për të diskutuar sërish dhe gjetur një zgjidhje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se është e vështirë të gjendet zgjidhje nesër në takimin e Brukselit, kjo sipas saj, duke i marrë parasysh tendencat e Serbisë për të krijuar tema të tjera dhe prolongim të dialogut.

Tutje, ajo tha se nëse i marrim qëndrimet e Serbisë karshi dialogut do të jetë e vështirë që të kemi arritje të ndonjë marrëveshje.

“Dialogu ka mbetur i ngecur dhe nuk ka pasur progres, dhe ky pikërisht për shkak të mos gatishmërisë që pala serbe ka pasur për të iu përmbajtur qoftë për marrëveshjen bazike, apo planit të veprimit dhe sigurisht tendenca e tyre për të nxjerrë tema të tjera në dialog, siç është kjo e dinarit”, tha ajo në RTK.

Ndryshe takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur me 25 mars, pikërisht për të gjetur një zgjidhje, mirëpo, përfundoi pa rezultate.

Serbia po kërkon nga Kosova që të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, kurse Kosova po këmbëngul se është në të drejtën e saj.

Kosova i ka dorëzuar propozimet e idetë e saj rreth çështjes e në takimet i prezantoi e argumentoi ato. Propozimet e Kosovës janë në linjë me rregulloren e BQK-së, për të cilën qeveria thotë se përmbajtja e së cilës nuk po diskutohet.