Nis shqiptimi i gjobave bazuar në ligjin e ri për trafikun rrugor
Nga sot, ka hyrë fuqi ligji i ri për trafikun rrugor, i cili parasheh masa dhe gjoba të ashpra për shkelësit e rregullave në komunikacion.
Me këtë rast, që nga mëngjesi, Policia e Kosovës filloi zbatimin e ligjit të ri ku edhe u shqiptuan gjobat e para.
Ky ligj parasheh gjoba të larta, heqje të pikëve e deri te ndalimi i drejtimit të automjetit.
Bazuar në këtë ligj, sot u konfiskua edhe një automjet.
Kështu njoftoi komandanti i stacionit policor të Obiliqit, Zekrija Januzi.
"Siç po shihni ka filluar zbatimi i ligjit sipas rregullave te reja ku kemi shqiptuar disa gjoba. Si masa më e re është konfiskuar një makinë, pasi kemi hasur në person që u është pezulluar patentë-shoferi. Sipas ligjit të ri, si masë është paraparë konfiskimi i veturës", deklaroi Januzi për RTK.
Eksperti i komunikacionit Muhamed Krasniqi, tha se ligji i ri ka për qëllim që të sjellë siguri më të madhe në trafikun rrugor.
Gjobat që parashihen me ligjin e ri janë nga 20 euro deri në 6 mijë euro, për ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, nuk respektojnë semaforin dhe nuk vendosin rripin e sigurisë. Gjithashtu, gjoba më të larta janë paraparë edhe për këmbësorët që nuk kalojnë në vendkalimin e dedikuar për ta, ndërkaq me ligj është rregulluar edhe çështja e përdorimit të trotineteve elektrike.