Nëna e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradë: Ishte refugjate në Kosovë, e prisnim të vinte në shtëpi në muajin mars

Nëna e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradë: Ishte refugjate në Kosovë, e prisnim të vinte në shtëpi në muajin mars

Aktuale April 03, 2024 - 19:47

Natasha Kozij, nëna e 23-vjeçares, e cila u gjend e vdekur në skaj të rrugës në autostradën “Arbën Xhaferi”, ka thënë se vajza e saj kishte ardhur në Kosovë, si refugjate për shkak të luftës në Ukrainë.

Në një bisedë për Telegrafin, ajo ka theksuar se Olena kishte aplikuar edhe për dokumente të shtetësisë së Kosovës.

“Vajza ime ishte në Kosovë sepse ka luftë në Ukrainë. Ajo ishte atje si refugjate dhe aplikoi për shtetësi. Ajo ka marrë të gjitha dokumentet për të jetuar ligjërisht në Kosovë”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse gjatë komunikimit me të bijën ka kuptuar ndonjë shqetësim, ajo tha se ajo kishte humor të mirë dhe se nuk ka pasur probleme me askënd.

Madje, thekson se në mars do të kthehej në Ukrainë.

“Vajza ime nuk kishte fare probleme. Ajo do të kthehej në shtëpi në mars 2024. E prisnim në shtëpi. Fatkeqësisht, nuk e prita”, u shpreh Kozij.

Mediat lokale ukrainase shkruajnë se familja Kozij iu desh të mblidhte fonde për ta kthyer trupin e vajzës në shtëpi.

Trupi i pajetë i 23-vjeçares ishte dërguar në Ukrainë, derisa më 9 mars, ajo është varrosur në fshatin Chervona Sloboda në rajonin Cherkasy.