Zbulohet pllaka në nderim të heroit Enver Zymeri, në vendin ku u vra

Zbulohet pllaka në nderim të heroit Enver Zymeri, në vendin ku u vra

Aktuale April 03, 2024 - 15:47

Në vendin ku para 13 vjetësh u vra polici i Kosovës, Enver Zymeri, të mërkurën është zbuluar një pllakë në nderim të veprës së tij.

Të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe familjarë të heroit Enver Zymeri.

Kryeministri Kurti ka thënë se vizitën në veri sot e filloi në Komunën e Leposaviqit, me ç’rast ka bashkëbiseduar me këshilltarët komunalë dhe zyrtarët e kësaj komune.

“Bashkë me mua ishte ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e po ashtu zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviqi. Ishte edhe kryetari Lulzim Hetemi dhe nënkryetarja e komunës së Leposaviqit. Ju tregova për të arriturat 3-vjeçare të Qeverisë sonë që i kemi bërë për të gjithë pa dallim, se si kemi investuar në arsim, bujqësi, mbrojtje e siguri, në shëndetësi dhe shpreha zotimin tonë që ne e konsiderojmë Qeverinë e Repulikës së Kosovës si një infrastrukturë për të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka theksuar Kurti para mediave, pasi ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e heroit Enver Zymeri.

Image

Kreu i ekzekutivit tutje tha se në këtë vizitë kërkoj “bashkëpunim me ta pa privilegje e pa diskriminime”, në mënyrë që nga ky bashkëbisedim, siç tha Kurti, të dalin idetë lidhur me ankesat e mundshme që i kanë se si mund të bëjmë edhe më shumë edhe më mirë.

“Prej komunës së Leposaviqit, e vizitova edhe vendin ku ka rënë heroi i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, te ajo ura ku u pat vendos ajo barrikada me maune që i kishin vendosur ata paramilitarët terroristë e kriminelë që mandej ikën. Prej komunës së Zveçanit ishim edhe në Zubin Potok, me ç’rast në komunë vizituam agjencinë e regjistrimit civil dhe aty bashkëbiseduam me zyrtarët sa i përket regjistrimit civil, por në një zyrë tjetër ishin edhe ata për regjistrimin e automjeteve. Para se të shkojmë në Mitrovicë të Veriut, këtu e përuruam me drejtorin, ministrin, djalin e Enver Zymerit lapidarin kushtuar heroit të Kosovës, i cili me datën 3 prill, sivjet do të ishte 45 vjeç, mirëpo siç e dimë, në korrik të vitit 2011 ai u pat vra dhe në këtë vend ku ka rënë heroikisht tash e kemi lapidarin dhe flamurin e shtetit", ka shtuar Kurti, raporton rtk.

Në Zubin Potok, pranë vendit ku në korrik të vitit 2011 mbeti i vrarë, heroi Enver Zymeri u vendosën edhe lule. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës atë kohë kishte ndërmarrë aksion për t'i vënë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Gjatë këtij aksioni u vra polici, Enver Zymeri nga strukturat ilegale serbe në veri.