Haradinaj e quan Kurtin mashtrues: Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij
Foto: Laura Hasani

Haradinaj e quan Kurtin mashtrues: Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij

Aktuale April 02, 2024 - 23:21

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit ka publikuar disa të arriturat të Qeverisë, duke përmendur subvencionimin e energjisë elektrike, shtesat e njëhershme prej 100 euro e deri te subvencionimi i rritjes së pagave në sektorin privat.

Në një shkrim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se Kurti i është kthyer mashtrimeve elektorale.

“Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij”.

“Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballje me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, fjalët e bukura se shoqëria përparon kur askush nuk mbetet mbrapa, janë në shpërputhje me realitetin që po e jetojmë.

“Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve”, shkroi Haradinaj.