Limaj: Kosova është në situatë të keqe dhe konfuze
Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj tha se zhvillimi i Kosovës është ndalur dhe se për tri vite vendi ka pësuar shumë humbje në të gjitha dikasteret.
Duke e quajtur qeverinë Kurti të dështuar, Limaj tha se këto janë edhe arsyet se pse po diskutohet mbajtja e zgjedhjeve.
"Kosova është ndalur, tash e tri vite vendi ynë është ndalur. Kemi humbur shumë, vështirë është me u kompensu humbja e kësaj kohë për këto vite në të gjitha dikasteret. Ne kemi humbur në planin ekonomik, social, politik, në reforma, në diplomaci, vendi ynë tash e tri vite ka stagnuar tërësisht", deklaroi Limaj.
Duke folur për veriun e vendit, Limaj tha se qeveria ka bërë një dramë e cila sipas tij Kosovës i ka kushtuar me gjak, sakrificë, mund, shpenzime, trauma e kosto në arenën ndërkombëtare, dhe në fund ai thotë se po kthehet gjendja e mëparshme.
“Njerëzit e Vuçiqit po na i shkarkojnë prap kryetarët, përveç kësaj po jepet pare, u ndanë 200 e sa mijë euro për peticionin, dmth edhe kemi shpenzime për me sjellë gjendjen kaotike siç e kemi tani, e pastaj për me kthy gjendjen ku ka qenë. Dhe në po shkojmë drejt një peticioni drejt një referendumi për të kthyer njerëzit e Vuçiqit në pushtet, për te kthyer gjendjen e mëparshme që ka qenë”, deklaroi mes tjerash Fatmir Limaj në RTK.
Ai thotë se Kosova është në situatë të keqe dhe konfuze.
"Ju do ta shihni pas këtyre zgjedhjeve ajo pjesë ka me qenë shumë më keq se çka qenë deri më tani", tha Limaj teksa foli për veriun e vendit.
Duke komentuar deklaratat se në letrën e dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, një nga kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është Asociacioni, Fatmir Limaj tha se kryeministri Kurti e ka reduktuar çështjen e Asociacionit që dikur ishte kusht për njohje me Serbinë, e ka reduktuar në anëtarësim në Këshill të Evropës.
"Dikur Asociacioni ishte një nga kushtet e njohjes reciproke. Keta njerëz çka kanë bërë? Tre njerëzit kryesor të vendit kanë ardhë deri aty sa me reduktu ambicien tonë, sa me shkëmby për anëtarësim në Këshill të Evropës. Do të kishte kuptim zotimit të Asociacionit ajo letër, sikur të ishte dhënë për anëtarësim në NATO, ose edhe të njohjes së pesë vendeve, ama me shku me reduktu punën deri aty sa Asociacionin e shet për anëtarësim në KiE, tregon debakël”, tha ai.
Lidhur me raportet e kryeministrit Kurti me partnerët ndërkombëtar, Limaj tha se Kurti nuk ka bërë asnjë rezistencë në thelb të asnjë kërkese të Brukselit dhe se përceptimi i jashtëm se kryeministri po reziston, është gabim.
"Të gjitha i ka pranuar, dallimi është se i ka pranuar gjoja me njëfar rezistence. I ka prishë marrëdhëniet me partnerët dhe i ka pranuar. Gabim është përceptimi jashtë. Ky ka pranu marrëveshje pa negociim", deklaroi kreu i NISMA-s.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate mes tjerash ka thënë se ky vit është vit i zgjedhjeve në Kosovë dhe se për këtë, qeveria duhet të jep dorëheqje. Ai potencoi se nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse vendi është në vit zgjedhor.