Ironizon deputeti Abazi: Nuk shkohet me fëmijë në negociata me Serbinë
Foto: Laura Hasani

Ironizon deputeti Abazi: Nuk shkohet me fëmijë në negociata me Serbinë

Aktuale April 02, 2024 - 22:23

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka deklaruar se ekipi i Kosovës në negociatat me Serbinë është i përbërë nga fëmijë.

Madje sipas Abazit, ekipi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi që ka negociuar me Serbinë në Bruksel është i përbërë me studentë të Bislimit.

“Në kohën e momenteve të përplasjes me kryeministrin Kurti, si kryetar i komisionit ka qenë pikërisht thirrja ime që të ulemi e ta ndërprejmë historinë e së kaluarës edhe të thërrasim dijen dhe njerëz të cilët mund të na ndihmojnë. Weller, profesori Mark Weller është thirr në momentin e fundit një ose dy ditë para se të shkohet në Ohër për marrëveshje. Nuk bëhen këto punë kështu, nuk është diplomacia arbitraritet, nuk është diplomacia kryeneqësi e një njeriu që mendon se i din edhe çështjet e mjekësisë lokale edhe diplomacisë ndërkombëtare. Tani mund të jesh udhëheqës i lokomotivës por treni duhet të jetë i gjatë njerëzit duhet të jenë me ekspertizën e tyre përbrenda fahut profesional me të cilën janë marrë për një kohë të gjatë dhe kanë përvojë. Nuk shkohet në negociata me Serbinë më fëmijë. Kabineti ose ekipi i zvkryeministrit që ka negociu në Bruksel janë njerëz të moshës së re, student të tij në AUK që është konflikt i interesit gjithashtu”, tha Abazi në Tëvë1.

Abazi theksoi se ky është një fenomen me të cilin është ballafaquar sa ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk është me rëndësi emri i përveçëm por fenomeni me të cilin jemi ballafaqu është që unë do i marr disa studentë aty që më janë dukur të mirë në AUK dhe do të jenë njerëz që do të ulen në tavolinë, me njerëz me kapacitete jashtëzakonisht të mëdha”, shtoi Abazi.