Manastiri i Deçanit, Konjufca: Vendim i vështirë, por tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor
Foto: Laura Hasani

Manastiri i Deçanit, Konjufca: Vendim i vështirë, por tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor

Aktuale April 02, 2024 - 21:46

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vendimi për pronat rreth Manastirit të Deçanit ishte një vendim i vështirë, por se kjo tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor.

Konjufca ka takuar kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së Këshillit të Evropës, që është njëherazi edhe deputet, si dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës, Bertrand Bouyx, me të cilin foli edhe për këtë vendim.

Image

Ata diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës. Bouyx shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës, duke u shprehur optimist se ky proces do të përfundojë me sukses.

Image

Konjufca ka shtuar anëtarësimi në KiE do të jetë fillimi i angazhimit në fushën e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, u tha në komunikatën e përcjellë nga Zyra e kryeparlamentarit.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Kryetari Konjufca priti në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së KiE-së, njëherazi deputet dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së KiE-së, që është njëherazi edhe deputet, si dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës, z. Bertrand Bouyx.

Kryetari Konjufca dhe z. Bouyx diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhët shtet anëtar në Këshillin e Evropës. Kryetari Konjufca e falënderoi z. Bouyx për punën e tij dhe për mbështetjen e Francës si shtet partner, duke i shprehur mirënjohje për angazhimin që kjo fazë e parë për antarësimin e Kosovës në KiE të kalohej me sukses.

Të dy u pajtuan se është e rëndësishme që të vijojë puna dhe angazhimi deri në përfundim të plotë të këtij procesi, së bashku me shtetet mike, pas të cilit Republikës së Kosovës i hapet rruga për arritje edhe më të mëdha në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë.

Kryetari Konjufca u shpreh se mekanizmat dhe institucionet e shtuar në disponim për Kosovën, siç është edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do t’ia rrisin edhe më tej punën dhe rezultatin pozitiv vendit tonë në gamën e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Anëtarësimi në KiE nuk është përfundim, por fillim i një angazhimi edhe më të madh në këtë drejtim.

Po ashtu, kryetari Konjufca u shpreh edhe rreth vendimit për Manastirin e Deçanit. Ai tha se ky ishte një vendim i vështirë, dhe pikërisht kjo tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor.

Z. Bouyx e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duke qenë shumë optimist se ky proces do të përfundojë me sukses. /Zëri