Përplasje mes ministrisë dhe institucioneve të drejtësisë, gjyqtarët duan pensionim në moshën 70-vjeçare
Edhe një herë tjetër ka pasur krisje raportesh mes Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), këtë herë për Ligjin për statusin e gjyqtarëve. Kërkesat e këshillave të sistemit të drejtësisë po i duken të paarsyeshme Ministrisë së Drejtësisë dhe anasjelltas.
“Duan të zgjasin pensionimin deri në moshën 70 vjeçare”, ishte deklarata e zëvendësministrit të drejtësisë për gjyqtarët, Vigan Qorollit që alarmoi se mes institucioneve të drejtësisë ka sërish krisje.
Sigurimi shëndetësor, pensionimi i parakohshëm dhe i zgjatur deri në moshën 70 vjeçare, pensionimi suplementar që i siguron atyre pas pensionimit një pagë të majme, janë problematikat që sipas MD-së nuk po tejkalohen, e të gjitha këto janë pjesë e draftit të Ligjit për statusin e gjyqtarëve, që e kanë hartuar dy këshillat.
“Përderisa ne si MD mendojmë që duhet të jetë një ligj i veçantë për integritetin KPK dhe KGJK, nuk mendojnë kështu këto dy institucione të drejtësisë. KGJK dhe KPK pothuajse e kushtëzuan punëtorinë dhe reformën pa u definu këto çështje, dhe realisht e kushtëzuan me privilegjet e tyre financiare, kjo mbetet për ne e papranueshme”, tha Genc Nimoni – shef i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë.
Por, kryesuesi i KGJK-së, thotë se atë që kanë propozuar ishte veç një draft preliminar e jo vendim final, për të cilin mund të diskutohej veçse këmbëngulin që një ligj duhet t’i përfshijë të gjitha çështjet.
“Të gjithë ata që nuk e kuptojnë që pjesë e statusit të gjyqtarëve është pjesa e rekrutimit të gjyqtarit, zhvillimit në karrierë, çështja e avancimit dhe pensionimit. Në fakt nuk kanë ide se çfarë është statusi i gjyqtarit. Nuk mund të diskutohet për stausin e gjyqtarit pa këto çështje, tani cilin model mund të zgjedhim, se a duhet të pensionohen në moshën 65, 67 apo 70 vjeç. Kjo është çështje që vendoset nga vlerësimi i përbashkët”, tha Albert Zogaj –kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Po të njëjtin shqetësim e kanë në KPK.
“Me këtë rast, përveç mospajtimit për zgjatjen e pensionimit mbi moshën 65-vjeçare të prokurorëve dhe gjyqtarëve, Ministria e Drejtësisë ka theksuar me këmbëngulje se nuk do të diskutojë fare as për çështjen e sigurimit shëndetësor jetësor të prokurorëve dhe gjyqtarëve, gjë që është një kërkesë legjitime për rregullimin e statusit të tyre. Pra, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë nuk janë pajtuar që të përfshihen në legjislacionin e propozuar këto çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, përfshirë edhe pensionin suplementar dhe imunitetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, thonë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, presin kompromise nga të dyja palët dhe përfshirje të ambasadave e shoqërisë civile.
“Zgjidhja më e mirë është t’i kthehemi grupeve punuese edhe MD-ja edhe akterët e sistemit të drejtësisë, KGJK dhe KPK. Dhe, në nivel të diskutimeve të trajtohet kjo çështje që të ballafaqohen argumentet”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Për të vazhduar reforma e përbashkët e drejtësisë, KGJK-ja nuk pranon ligj të veçantë për integritetin pa u përfshirë statusi i gjyqtarëve, ndërkaq Ministria e Drejtësisë i ka bërë thirrje Këshillave që të marrin pjesë në punëtori dhe të shkojnë sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve. /Dukagjini