Kurti: Kosova e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kurti: Kosova e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Aktuale April 02, 2024 - 20:27

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx, që në takim shoqërohej nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Kryeministri Kurti falënderoi Bouyx për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. 

Image

Pas miratimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komision, pritet votimi i të njëjtit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill.

"Republika e Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare", thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Image

“Besimi në të drejtat e njeriut është thelbësor pasi i bën bashkë universalitetin dhe barazinë", citohet të ketë thënë Kurti gjatë takimit.

Image

Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe është e gatshme të rreshtohet me shtetet tjera anëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës në 75-vjetorin e themelimit të tij. /Zëri