Ambasadorja amerikane në NATO: Rusia po i përdorë metodat klasike për destabilizim në Ballkan
Ambasadorja amerikane në selinë e NATO-s në Bruksel, Julianne Smith, ka thënë të martën se Rusia është duke tentuar të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor me metoda klasike, por NATO-ja është duke i monitoruar me kujdes këto veprime dhe po punon me partnerët për të ruajtur stabilitetin e rajonit.
Ajo i ka bërë të ditura këto qëndrime gjatë një deklarimi para gazetarëve, në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s , që zhvillohet të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.
“NATO-ja ka pasur prani të kamotshme në Ballkanin Perëndimor. Që nga vitet 1990, aleatët e NATO-s kanë bërë gjithçka që kanë mundur për ta mbajtur stabil këtë rajon. Kemi praninë tonë ushtarake në rajon akoma dhe aleatët e NATO-s patën një vizitë të përbashkët në Bosnje-Hercegovinë, ku është një mision i NATO-s, krahas atij të KFOR-it në Kosovë“, ka thënë Smith, kur është pyetur nëse NATO-ja është në dijeni për ndonjë veprim të Rusisë, që ka për synim destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Kur është fjala për aktivitetet e Rusisë, ne kemi parë tash e disa vjet përpjekje klasike të saj për të destabilizuar rajonin përmes sulmeve hibride. Rusia përdor një listë klasike të mjeteve, ku fokusi kryesor është fushata e dezinformimit që ka për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe destabilizimin. Ndarjeve mes aleatëve, ndarjeve mes SHBA-së dhe partnerëve në rajon dhe mes aleatëve evropianë. Ne me kujdes monitorojmë situatën dhe punojmë me një numër të vendeve anëtare të NATO-s në rajon, e disa veçse janë vende anëtare. Punojmë edhe me vendin aspirant Bosnje-Hercegovinën dhe u ndihmojmë të modernizojnë ushtrinë. Punojmë edhe me partnerët në rajon. Kemi për shembull partneritet me Serbinë“, ka thënë Smith, duke nënvizuar se përmes këtyre kanaleve NATO-ja punon dhe mban fokusin mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo lidhet edhe me monitorimin tonë të veprimeve të Rusisë, në përgjithësi, në Evropë dhe në fqinjësi. Pra, nuk mund të thuhet se nuk kemi fokus, sepse me kujdes vëzhgojmë se çfarë po bën Rusia në atë rajon”, ka thënë ajo.
Në takimin e Ministrave të jashtëm të NATO-s do të mirëpritet për herë të parë si pjesëmarrës edhe ministri i Suedisë, si vendi i 32-të anëtar i NATO-s.
Në këtë takim do të shënohet edhe 75-vjetori i themelimit të NATO-s.
Pos agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës – të nisur në shkurt të vitit 2022 - ministrat do të diskutojnë edhe për bashkëpunimin me partnerët jashtë hapësirës euro-atlantike, me të cilat ndajnë vlerat e përbashkëta, sikurse Australia, Zelanda e re, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Në takim pritet të diskutohet edhe për përgatitjen e samitit të NATO-s, i cili në muajin korrik pritet të mbahet në Uashington. /Rel