Cilat janë fazat tjera finale drejt anëtarësimit të Kosovës në KiE? – Zëvendësministri Ahmeti shpjegon procedurat
Më 27 mars, Kosova ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke u hapur kështu rruga për fazat tjera drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë institucion,
Raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që rekomandonte Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare mori 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim. Kësisoj, ky raport u miratua nga Komisioni për Çështje Politike.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka shpjeguar se cilat janë fazat tjera drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ky është si një lloj komiteti për çështje politike dhe demokraci, është një lloj komisioni parlamentar në terminologjinë tonë, tash lënda, çështja do t’i kalojë seancës plenare. Pra, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. ku janë rreth 300 delegatë, një e tretë e tyre përbën minimumin e kuorumit, ndërsa me dy të tretat e pjesëmarrësve në votim miratohet opinioni pozitiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai për Telegrafin.
Sa i përket ndryshimit të agjendës për mbajtjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila tashmë është njoftuar se do të mbahet më 16 prill, Ahmeti thotë se këtë nuk e sheh si shqetësuese.
“Unë besoj që edhe po të mbahet më 18 prill, prania do të ishte e mjaftueshme dhe votat në favor janë aty. Por, sigurisht që mbajtja më herët, më 16 prill, vetëm se do ta ndihmojë edhe më tutje këtë synim”, potencoi ai.
Zëvendësministri Ahmeti duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, tha se kanë bërë punë të jashtëzakonshme që gjithë procesi të përfundojë më sukses me të gjitha grupet parlamentare dhe institucionet tjera.
“Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe dhe ajo po vazhdon… Këtu ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë edhe delegacioni ynë nga Asambleja Parlamentare që drejtohet nga nënkryetarja Saranda Bogujevci e cila ka menaxhu jashtëzakonisht mirë lobimin parlamentare, dhe duhet të them që kemi pas bashkëpunim edhe unë si zëvendësministër shumë të mirë edhe me delegatët e tjerë, duke e përfshirë opozitën”, ka deklaruar ai.
Ahmeti në intervistë u shpreh se beson që edhe faza e dytë do të kalojë me sukses, dhe se nuk pret ndonjë befasi që mund ta pengojë procesin.
“Synimi ynë ishte që të mos kemi asnjë parakusht. Pra, çështje që duhet të adresohen, të adresohen pas anëtarësimit, sepse si natyrë Këshilli i Evropës e ka këtë karakteristikë”, tha Ahmeti duke përmendur këtu çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit.
“Ne e adresuam këtë çështje, kjo çështje u zgjidh dhe tashmë nuk presim që të ketë parakushte të tjera”, tregoi ai.
Gjithashtu, Ahmeti sqaroi se faza e tretë është kur Asambleja Parlamentare votimin e 16 prillit i dërgon një opinion Komitetit të Ministrave.
“Komiteti i Ministrave më 24 prill të vitit të kaluar i ka kërkuar opinion Asamblesë Parlamentare. Themi çfarë mendoni për anëtarësimin e Republikës së Kosovës? A i plotësojnë standardet? Këtë opinion e ka ndërtuar raporti i juristëve eminent dhe raporti i zonjës Bakoyannis. Pra, Komiteti i Ministrave e merr këtë opinion prapa dhe vendos se çfarë do të bëjë tutje. Në asnjë rast, Komiteti i Ministrave nuk ka vendosur në shpërputhje me rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, pra me rekomandimin e këtij opinioni”, tha ndër tjera ai.
Ahmeti ka sqaruar se “Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës ka thënë nuk ka pengesa ligjore për anëtarësim të plotë të Republikës së Kosovës”.
“Pyetja të cilës është dashur t’i përgjigjen ka qenë: a është legjislacioni i Kosovës në standard të Këshillit të Evropës? Përgjigjja ka qenë e qartë: është dhe për më tepër i tejkalon standardet ndërkombëtare në disa çështje, siç është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Pyetja për zonjën Bakoyannis dhe raportuesit tjera kanë qenë për çështje më politike. Të cilat janë adresuar dhe cila është përgjigjja përfundimtare e zonjës Bakoyannis, Kosova duhet të bëhet anëtare dhe nuk ka parakushte të tjera. Pra, janë fjalët e vetë organeve të Këshillit të Evropës”.
Zëvendësministri Ahmeti ritheksoi se nuk pret befasi apo vota kundër, duke përmendur që duhen 31 vota duhet të jenë në favor.