Dyshohet se e shiti mishin nga Brazili si të Kosovës, AUV-i ia ndalon eksportin kompanisë kosovare
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka marrë masa kundër kompanisë “Apetiti Sh.P.K”, duke ia ndaluar eksportin e produkteve të mishit.
Lajmin për Zeri.info e konfirmuar zëdhënësi i AUVK-ut, Lamir Thaçi.
Ai tha se vendimi ka ardhur pasi u konfirmua se kompania në fjalë ka blerë mish nga Brazili dhe e ka shitur në Shqipëri si produkt me origjinë nga Kosova, së bashku me falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim të dyshimtë me inspektorë të shtetit.
“Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinë se produktit ushqimore( mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur. Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat ( doganat, ATK). Të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave qe burojnë nga kontrollet e detajuara”, tregoi Thaçi
Ai theksoi se secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj.
“Në këtë fazë nuk mund të pre-supozojmë veprimet, ato do të ndërmerren konform të gjeturave. Secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj. Si autoritet premtojmë transparencë të plotë me të dhënat pas kryerjes se gjurmimit. Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore qe vendoset për secilën palë të involvuar do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistoj asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”, deklaroi Thaçi për "Zërin".
Rastin e mishit fillimisht e kishte investiguar emisioni “Stop” në Tv Klan.
Ata kishin porositur 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit shpk”. Sasia e filetos së viçit shkoi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit.
Po ashtu, “Apetit shpk” kishte falsifikuar edhe çmimin për të mos paguar detyrimet në bazë të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto viçi. /Zëri