Kamerat për vëzhgimin e votimit në Veri huazohen nga Shqipëria, certifikimi i listës së votuesve deri më 9 prill
Të dielën e 21 prillit, qytetarët e katër komunave veriore në Kosovë do t’i drejtohen kutive për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Deri në ditën e votimit, KQZ ka paraparë disa aktivitete për organizimin e këtij procesi. Një nga vendimet është edhe vendosja e kamerave në qendra të votimit, për çka KQZ në Kosovë të shtunën ka nënshkruar memorandum me KQZ-në në Shqipëri për huazimin e tyre dhe të bojës matrikuluese.
Komisioni Qendror i Kosovës më 11 mars ka miratuar Planin e Aktiviteteve për organizimin e procesit të votimit të 21 prillit.
Dje është hapur afati për dorëzimin e ankesës për akreditimin e vëzhguesve, ndërsa do të mbyllet më 15 prill. Sipas këtij plani, fushata për ose kundër largimit të kryetarëve do të fillojë më 19 prill deri më 21 prill.
Gjithashtu, KQZ-ja ka marrë vendim që deri nesër të jetë periudha për ndërrimin e qendrës së votimit.
Afati për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill, ndërkaq afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill.
Ndërsa jo më vonë se deri më 9 prill duhet të bëhet certifikimi i listës votuese.
Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill, ndërsa aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill dhe përfundon më 18 prill.
KQZ-ja ka marrë vendim që periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës të fillojë më 12 prill dhe të përfundojë më 20 prill.
Plani i aktiviteteve:
- Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill 2024;
- Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024; Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;
- Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve bëhet më 17 mars 2024;
- Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill 2024;
- Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 16 mars 2024;
- Periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës fillon më 18 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
- Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill 2024;
- Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
- Certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se 9 prill 2024;
- Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024;
- Aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill. dhe përfundon më 18 prill 2024;
KQZ-ja ka miratuar edhe planifikimin buxhetor. Procesi i votimit pritet të kushtojë 233 mijë e 204 euro.
Përdorimi i kamerave në vendvotime
Më 28 mars, KQZ mbajti një mbledhje të radhës, gjatë së cilës miratoi 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit. Një nga këto specifika ka qenë edhe “për shërbimet e instalimit dhe përkrahjes teknike të kamerave në vendvotime”, e cila pritet të vlejë edhe për zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen ato.
Pasi kjo specifikë u miratua, anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, shprehu një dilemë rreth kësaj çështje. Ai pyeti nëse kjo është në përputhshmëri me ligjet në Kosovë.
“Edhe pse votova pro, një dilemë sa i përket çështjes së kamerave në vendvotim nuk po flas për rastin konkret, është çështje që do të përcillet kurdo që mbahen zgjedhjet në krejt Kosovën. A është në përputhshmëri me ligjet aktuale në Kosovë, me cenimin e privatësisë sepse kjo çështje është trumbetuar shumë gjatë në Kosovë. Nuk po flas për rastin konkret sepse kjo do të vlejë edhe për herë tjera por këtu kam dilema, nuk e di nëse është në plotni me kornizën tonë ligjore”, tha ai.
Anëtari tjetër i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani, bëri të ditur se kamerat do të huazohen nga Komisioni Qendror i Shqipërisë, ndërsa sa i përket zgjedhjeve të ardhshme lokale e parlamentare do të nevojiten procedura të veçanta.
“Ashtu siç është e rregulluar edhe me rregulla zgjedhore që i kemi lënë hapësirë për garantimin e transparencës dhe regjistrimit në vendvotime, realisht këto specifika janë veç për përkrahjen teknike që do të jepet sepse është një procedurë e veçantë që do të zhvillohet për marrjen në shfrytëzim, në huazim nga KQZ e Shqipërisë, për të cilën do të kemi edhe një memorandum bashkëpunimi me ta dhe do të huazohen këto kamera për të incizuar brenda vendvotimit. Por sigurisht se kjo çështje sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale në nivel nacional nevojiten procedura të veçanta, pra ky është një lloj testimi, pilotimi që po i bëjmë për përdorimin e këtyre kamerave brenda vendvotimit”, tha Elshani.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga VV, Alban Krasniqi, ka thënë se vendosja e kamerave është pjesë e dy rregulloreve. Ai ka thënë se ruhet fshehtësia e votës pasi kamerat do të vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit të votimit.
“Dmth vendosja e kamerave regjistruese janë pjesë e dy rregulloreve, ajo për votim dhe për punën e KVV-ve. Në anën tjetër, ligji i ri ia ka dhënë si obligim KQZ-së që gjatë proceseve të votimit dhe numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence. Natyrisht se është e qartë se ruhet fshehtësia e votës, ato vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit dhe për çfarëdo rrethane që nesër mund të na duhet, për rezultate apo aspekte tjera, kjo është e zgjidhshme. Për herë të parë po i bjen tash, por rregulloret i kemi miratuar dhe vazhdon të përdoret edhe në proceset tjera zgjedhore”, tha Krasniqi.
Pas miratimit të këtyre specifikave, KQZ-ja në Kosovë ka pasur një takim me KQZ-në Shqipëri, shkruan Express.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në vendvotime dhe të bojës matrikuluese për shënjimin e zgjedhësve.
“Gjithashtu, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe të bojës matrikuluese nga KQZ e Kosovës për t’u përdorur në procesin e votimit të datës 21 Prill 2024”.