Krasniqi për krerët e UÇK-së në Hagë: Deri në ditën e madhe të lirisë së tyre, jemi me ta dhe krah tyre në çdo hap
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar tubimin e para një viti kur qytetarët ishin mbledhur në sheshet e Prishtinës, për të mbështetur krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “sot një vit - dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës, nga të gjitha qytetet e fshatrat, zbarkuan në sheshin e Prishtinës për të marrë pjesë në Marshin për Drejtësi – në mbështetje të heronjve tanë të luftës dhe paqes”.
“Ballafaqimi i dinjitetshëm i çlirimtarëve tanë me drejtësinë, për pastërtinë e luftës tonë për liri, po vazhdon edhe sot. Tashmë po bëhen rreth tre vjet e gjysmë nga fillimi i këtij procesi”, shkruan Krasniqi.
Ai thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre po bëjnë atë që kanë bërë më së miri gjatë gjithë jetës – mbrojtjen e Kosovës, pavarësisht nga rrethanat dhe çmimi personal.
“Besa, nuk ka se si të jetë ndryshe për këta burra, të cilët, përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç çlirimit e pavarësisë, s’kanë pasur tjetër projekt rezervë.
Një herë patriot – gjithmonë patriot.
Deri në ditën e madhe të lirisë së tyre – jemi me ta dhe krah tyre në çdo hap.
Drejtësia do të triumfojë - ashtu siç edhe dielli do të lindë përsëri!”, shkroi Krasniqi. /Zëri