Turqishtja gjuhë me përdorim zyrtar në veri
Në Mitrovicë të Veriut, turqishtja ka marrë statusin e “gjuhës në përdorim zyrtar”. Banorët serbë aty janë të ndarë në vlerësime për këtë vendim të kuvendit komunal.
Gjuha turke në Mitrovicë të Veriut, ka marrë status tjetër.
Ajo është kategorizuar si “gjuhë me përdorim zyrtar”, e cila sipas Ligjit për Gjuhë është gjuha e folur tradicionalisht brenda kufijëve komunalë.
Për këtë vendosi kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut, me kërkesë të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Enis Kërvan.
“Gjuha turke tradicionalisht me vite flitet dhe përdoret në Mitrovicën Veriore, jo vetëm nga ana e komunitetit turk, por edhe nga komunitetet tjera. Në veri të Kosovës, posaçërisht në Mitrovicë të Veriut, nuk jetojnë vetëm serbët prej komuniteteve jo shumicë, por edhe boshnjakët, romët, ashaklit etj. Prandaj, kjo edhe njëherë vërteton që në çdo pjesë të Kosovës zbatohet ligji”, tha d eputeti Enis Kërvan.
Por banorët e kësaj pjese të veriut të vendit janë të ndarë në dysh rreth kësaj risie.
As shqip, as turqisht. Askush nuk do të pranojë këtë. Të vendoset gjuha turke këtu, në veri? Jo, assesi!
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, gjuha serbe dhe shqipe janë të barabarta. Të gjitha dokumentet shkruhen në gjuhën shqipe dhe serbe. Por, është paraqitur problemi që edhe pakica turke duhet të ketë gjuhën e tyre. Gjë të cilën unë e përkrah. Nëse nuk është problem për Qeverinë e Kosovës, le ta zyrtarizojë edhe gjuhën turke . Turqit janë një minoritet i mirë, me kulturë të mirë. Nuk kanë bërë probleme kurrë, as në ish-Jugosllavi, as këtu. Duhet t’u jepen të gjitha të drejtat që kanë serbët dhe shqiptarët”, u shpreh banori Miroslav Laketiç.
E shtimi i gjuhës turke në “gjuhët me përdorim zyrtar”, vlerësohet më shumë si simbolik.
“Këto i kontribuojnë harmonisë dhe bashkëpunimit më të mirë ndëretnik. Mendoj se sa i përket gjuhës turke në komunën veriore të Mitroviës, më tepër ka efekt simbolik, se sa ndonjë efekt në praktikë.”, tha profesori, Nexhmedin Spahiu.
Ky ndryshim nuk obligon përdorimin e gjuhës turke në fushat e përgjegjësisë komunale.
Duke ju referuaru, rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë të mbajtur në Kosovë në vitin 2011, në vend jetojnë gjithsej 18 mijë e 738 turq, ndërsa afërsisht 50 mijë persona mund të flasin edhe turqisht përveç gjuhës së tyre amtare.