A pati sukses ndërmjetësuesi Lajçak?
Foto: Laura Hasani

A pati sukses ndërmjetësuesi Lajçak?

Aktuale April 01, 2024 - 20:53

Mandati i emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Laçak është drejt përfundimit. Gjatë periudhës së tij si ndërmjetësues, Kosova dhe Serbia nënshkruajtën marrëveshje historike sipas BE-së, megjithatë palët nuk po i zbatojnë obligimet.

Edhe pak muaj i kanë mbetur për ta ushtruar rolin e ndërmjetësuesit special të Bashkimit Evropoian për dialogun Kosovë – Serbi.

Diplomat sllovak, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të mandatit pritet të bëhet ambasador i ri i BE-së në Zvicër.

Por, në detyrën aktuale, Lajçak është kritikuar goxha për këto katër vite për ndërmjetësimin në negociatat mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Kritik më së shumti ndaj sllovakut ka qenë, kryeministri Kurti dhe vartësi i tij, Besnik Bislimi.

Megjithatë analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se në dialog Lajçak i ka përfaqësuar të gjitha shtetet e BE-së, dhe ndërmjetësi tjetër që do të vij do t’i ketë funksionet e njëjta.

“Lajçak nuk ka mundur ti imponoj agjendat e veta aty pasi që ai i përfaqëson edhe qëndrimet e shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Ai e ka bërë punën ashtu siç do ta bënin edhe të tjerët andaj nuk mund të presim ndonjë dallim të madh edhe nga ndërmjetësuesi i ardhshëm sepse kornizat e funksionimit të BE-së janë të njëjta”, tha analisti politik, Artan Muhaxhiri.
Tutje, Muhaxhiri thotë se Lajçak ka treguar sukses me marrëveshjen e Ohrit.

“Marrëveshja e Ohrit është një sukses i jashtëzakonshëm sepse është një hap shumë i madh veçanërisht kur dihen pozicionet paraprake të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë problemi qëndron tek realizimi i kësaj marrëveshje”, u shpreh Muhaxhiri.

E më kritik ndaj emisarit të BE-së po shprehet njohësi i çështjeve politike, Tomor Avdija, i cili thotë se diplomati evropian humbi besimin tek palët.

“Qeveria jonë gjatë fillimit të mandatit deri në gjysmën e saj ka ofruar mbështetje dhe besueshmëri në këtë proces, por pas veprimeve që janë ndërmarë gjatë dy viteve të fundit z.Lajçak ka humbur besueshmërinë”, deklaroi analisti, Tomor Avdija.

Avdija thotë se emisari Lajçak gjatë kësaj periudhe ka ushtuar presion vetëm ndaj njërës palë dialog.

“Miroslav Lajçak ka marrë kritika jo vetëm nga institucionet e tona por edhe nga partneret e tjerë ndërkombëtar për mos balancimin e presionit të ushtruar ndaj palëve. Pra, gjatë dy viteve të fundit Kosova ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga ndërmjetësuesi i dialogu, por e njëjta nuk mund të thuhet edhe për palën tjetër”, theksoi Avdija.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë./teve1