Incidenti në Haraçinë, Ridvan Ibrahimi pa lëndime, dy të tjerë të hospitalizuar

Incidenti në Haraçinë, Ridvan Ibrahimi pa lëndime, dy të tjerë të hospitalizuar

Aktuale April 01, 2024 - 20:20

Ridvan Ibraimi ishte caku i sulmit të armatosur që ndodhi në Haraçinë. Ai shpëtoi pa plagë, por si pasojë e të shtënave me kallashnikov, u plagosën dy bashkëpunëtorë të tij, shoferi dhe një tjetër nëpunës i komunës. Motivet e incidentit akoma janë të paqarta.

Dëshmitarët thonë se rasti ka ndodhur derisa kryetari Ibraimi së bashku me bashkëpunëtorët e tij po kryenin inspektime në ndërtimet rrugore. Gjatë këtij aktiviteti, sipas dëshmitarëve, një person ka ndaluar automjetin, ka shtënë me kallashnikov drejt kryetarit Ibraimi, por si pasojë ka plagosur dy persona të tjerë. Personi që ka shtënë me armë sipas burimeve tona, është i njohur për policinë dhe më herët ka qenë i përfshirë në punë kriminale. Por nga policia nuk kanë dërguar as inicialet e kryerësit të veprës. Nga atje sigurojnë se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.

“Sot më 01.04 2024 në orën 13:25 në stacionin policor në Shkup është denoncuar se në hyrje të Haraçinës, një person mashkull me kallashnikov ka gjuajtur ndaj kryetarit të komunës së Haraçinës, R.I që ka qenë së bashku me edhe disa persona të tjerë. Janë plagosur dy persona, që kanë qenë bashkë me kryetarin e komunës. Kryetari nuk është plagosur, ndërsa nuk janë të vërteta as spekulimet e publikuara në një pjesë të portaleve se është plagosur edhe një polic. SPB Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB-ja.

Drejtori i klinikës torakale, Nexhati Jakupi njoftoi se pacienti i cili i’u nënshtrua operacionit, tani është në gjendje stabile por natën do të kalojë në kujdes intensiv. Atij si pasojë e plagëve të rënda gjatë ndërhyrjes është dashur t’i hiqet një pjesë e mushkërisë së djathtë.

“Bëhet fjalë për një pacient 21 vjeçar, me lëndime të marra nga armë zjarri, në pjesën e kraharorit të djathtë. Pacienti ka ardhur në gjendje të shokuar, menjëherë është bërë intervenim i gjerë kirurgjik, është konstatuar lëndim në pjesën e sipërme të mushkërisë së djathtë, ajo është mënjanuar ajo pjesë e mushkërisë. Pacienti për momentin është stabile, natën do ta kalojë në kujdes intensiv, në aparat për frymëmarrje”, tha Nexhati Jakupi, Drejtor i klinikës torakale.

I plagosuri tjetër, i moshës 39 vjeçare, është i shtrirë në spitalin e Qytetit dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Kreu i Komunës së Haraçinës në të kaluarën disa herë ishte kërcënuar me jetë, madje vitin e kaluar kishte mbyllur për disa ditë me radhe dyert e komunës për shkaqe sigurie./Alsat.mk