Moti për këtë javë, të martën reshje lokale dhe erëra të forta

Moti për këtë javë, të martën reshje lokale dhe erëra të forta

Aktuale April 01, 2024 - 18:31

Prilli ka nisur me temperatura mjaft të larta apo thuajse verore, të cilat po arrijnë deri në 27 apo 28°C në shkallë vendi, kjo si pasojë e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore. Nën këto kushte kemi mot me diell dhe vranësira të nivelit të lartë, e bashkë me to edhe koncentrime të larta të pluhurit Saharian.

Nga dita e martë, specifikisht gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në mëngjes, kemi depërtimin e frontit të ftohtë, i cili pritet të sjellë reshje lokale shiu, kryesisht të përqëndruara në Rrafshin e Dukagjinit, të cilat mund të jenë edhe në formë të rrebesheve afatshkurtër. Po ashtu, do të ketë edhe erëra mjaft të forta, ku nuk përjashtohet mundësia për dëme materiale.

Kalimi i frontit do t’i largojë edhe grimcat e pluhurit Saharian.

Dita do të vijojë me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa vonë pasdite mund të ketë shtim të vranësira dhe reshje lokale shiu, tani kryesisht në Rrafshin e Kosovës: zona veriore, verilindore, lindore dhe ajo disi qëndrore. Temperaturat do të pësojnë ulje dhe do të jenë rreth vlarave mesatare, rreth 20°C.

Të mërkurën dhe të enjten, moti do të nisë me diell e vranësira të pakta por mëngjesi do të jetë i ftohtë, sidomos të mërkurën. Gjatë ditës do të ketë shtim të vranësirave, të cilat të enjten mund të gjenerojnë edhe reshje të izoluara shiu. Temperaturat gjatë ditës do të mbesin pak a shumë konstante me ato të së martës.

Nga dita e premte e në fundjavë, pritet sërish të ketë fuqizim të masave të ngrohta nga Afrika veriore, temperaturat do të shënojnë ngritje të ndjeshme nga dita në ditë, të cilat të dielën parashihet të arrijnë deri në 28°C.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila vetëm të martën parashihet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-75 km/h! Ka mundësi të ketë dëme materiale. Në ditët tjera era do fryjë me intensitet të lehtë dhe mesatar.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 28°C.