I mbijetuari i masakrës së Gjakovës: Forcat serbe ma vranë vëllain 5 vjeç me thikë, e varën në shtyllë elektrike

I mbijetuari i masakrës së Gjakovës: Forcat serbe ma vranë vëllain 5 vjeç me thikë, e varën në shtyllë elektrike

Aktuale April 01, 2024 - 17:48

Bekim Demjaha, i mbijetuar i masakrës së mesnatës mes 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në Gjakovë ka rrëfyer se si forcat serbe ia vranë familjarët.

“Mes 1 edhe 2 prillit, ne u larguam nga shtëpia jonë dhe shkuam te daja. Aty hasëm në disa policë me të cilët bisedojë babai im. Iu tha që po shkojmë të miqtë kena vazhdu dhe kena bujt atje. Aty ishim rreth 16 persona, aty ishte më sigurtë se në atë lagje kishte shumë qytetarë serb që jetonin por ndodhi ndryshe”, tha ai.

Demjaha ishte 15 vjeçar kur ndodhi kjo masakër, por e mban në mend shumë mirë atë trishtim.

“Frika ishte gjithmonë se krismat nuk u ndaleshin asnjëherë, problemi ishte mes 1 dhe 2 prilli kur NATO sulmoi serbët u nisën me u hakmarrë. Nisën te shtëpia e Mërgim Lleshit e pastaj nga ne. Ajo krisma e madhe që kërsiti – isha në gjumë, u çova e dola në korridor, si sot më kujtohet shtëpia e dajës ishte me hekra ku shihet gjithçka përpara. Nuk kanë kalu 5 minuta aty janë rreshtu paramilitarët serbë me maska e me thika”, tregon ai.

“Filluan me thy derën, unë veçse ika prej aty, ne e kena llogaritë që nuk vijnë meqë kishte serbë. E mbaj mend shumë mirë njërin nga ta bashkë me kojshinë e tyre që kanë marrë pjesë bashkë, ata kanë qenë banorë lokal të Gjakovës”.

Duke u përmbajtur me vështirësi, Demjaha tregoi se si ia vranë vëllain 5 vjeçar, të cilin tha se pas vrasjes e kishin varur në shtyllë elektrike.

“Unë vazhdova në një lagje tjetër, kur u futa aty brenda ishin diku rreth 700 persona. Më pas familjarët e mi erdhën aty por mungojke gjyshi, gjyshja, mama edhe vëllai. Vëllain e kanë therr me thikë. Ka dalë me thikë… Argjendin. Ai i ka pasë 5 vjet. Ka vazhdu jashtë te dera e oborrit. Aty ka dhanë shpirtë. Mamën e kanë vra me plumba. Kur e kena gjet trupin i ka pasë 15 plumba. Për krejt këto tortura që nuk janë ngi masi e kanë vra vëllain tem e kanë vendos në shtyllë elektrike për dy ditë”, tregoi ai./t7