Lajçaku pret që çështja e dinarit të zgjidhet në takimin e kësaj jave në Bruksel
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në takimin e kësaj jave mes palëve në Bruksel pret të gjendet një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Lajçaku ka shkruar se do të vijojnë diskutimet e lëna të enjten (28 mars), derisa takimin e fundit e konsideroi të dobishëm.
“Në përgjithësi, takimi ka qenë i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë t’i shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund u konkludua se do të duhej edhe një tjetër takim. Palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të kapërcejmë hendekun e mbetur”, është shprehur ai.
Kryenegociatori i Kosovës në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se do të duhej edhe një takim me homologun serb Petar Petkoviq që të qartësoheshin qëndrimet.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re, e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës ta pezullojë rregulloren, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur të përshtaten me praktikën e re. /Zëri