Kundërshtimi i raportit të Bakoyannisit, Hehiri: Kjo tregon se Vuçiqit s’i intereson mirëqenia e serbëve të Kosovës
Kosova ka bërë një hap të madh drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Më anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës, qytetarët do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
E pavarësisht nga fakti se të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim do të përfitonin nga Këshilli i Evropës, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Andaj, profesori nga “Westminster University”, Aidan Hehir, thotë se me këto veprime që po i ndërmerr Vuçiqi po tregon se atij nuk i intereson komuniteti serb që jeton në Kosovë.
“Nëse Kosova pranohet në KiE, do të përfitojnë komunitetet pakicë të Kosovës deri në atë masë që ata do të jenë më në gjendje të angazhohen me mekanizmat e KiE-së për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave. Fakti që Vuçiqi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës nxjerr në pah faktin se ai nuk është i interesuar të përmirësojë mirëqenien e serbëve të Kosovës. Duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës, Vuçiqi po zbulon se i sheh serbët e Kosovës në një mënyrë thjesht instrumentale. Vuçiqi si të gjithë nacionalistët serbë që kanë dalë para tij kërkon të përdorë serbët e Kosovës si një mjet për të mbledhur mbështetje për veten dhe rrethin e tij nacionalist”, thotë Hehiri.
Por hulumtuesi nga Iniciativa e re sociale, Aleksandar Sljuka, që vepron në Mitrovicën e Veriut, thotë se serbët në Kosovë nuk janë edhe aq entuziast me anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Vendimi për Manastirin e Deçanit u vlerësua si një hap shumë i rëndësishëm për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por për komunitetin serb ishte thjesht zbatim i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që duhej të merrej kohë më parë. Në raport thuhet ka edhe disa kushte të tjera, por mendoj se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Megjithatë kjo nuk i përmbush kërkesat e komunitetit serb në Kosovë, pasi siç e dimë vetëm po shtyhet formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj se do të zgjidhen problemet e komunitetit serb në Kosovë më anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, shprehet ai.
Por Hehiri kritikon presidentin serb se po i shkel marrëveshjet e Brukselit me kundërshtimin që po i bën Kosovë për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
“Vuçiqi është kundër anëtarësimit të Kosovës sepse do të konsolidonte më tej shtetësinë e Kosovës; është një motivim i thjeshtë politik i cili është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 14 të “Marrëveshjes së Brukselit” të vitit 2013, i cili specifikonte se “asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE”, thotë profesori në “Westminster University”.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ka alarmuar presidentin serb, i cili ka thënë që me këtë hap dëbohet Serbia de fakto nga kjo organizatë. /Teve1