Bojkoti i marrëveshjeve nga opozita vlerësohet se po i shkakton dëm vendit
Foto: Laura Hasani

Bojkoti i marrëveshjeve nga opozita vlerësohet se po i shkakton dëm vendit

Aktuale April 01, 2024 - 08:57

Tash e disa muaj në Kuvendin e Kosovës nga opozita po bojkotohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Nga Instituti Kosovar për Drejtësi vlerësojnë se kjo u bë pas arrogancës së Qeverisë, derisa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se me këto veprime opozita po i shkakton dëm vendit.

Shumë projektligje për marrëveshje ndërkombëtare nuk po gjejnë përkrahje në Kuvendin e Kosovës.

Kjo për shkak se nevojiten 2/3 e votave dhe kështu, ato po bojkotohen nga partitë opozitare.

E kjo po shihet si shkelje e Kushtetutës nga monitoruesit e punës së legjislativit.

Naim Jakaj, nga Instituti Kosovar për Drejtësi, thotë se deri te kjo ka ardhur si pasojë e arrogancës së Qeverisë ndaj partive opozitare.

“Më shumë se gjysma e këtyre projektligjeve nuk janë votuar për herë të pestë ose të gjashtë ose të shtatë për shkak të bojkotit të opozitës dhe arrogancës së Qeverisë e cila kur ka ardhë puna te ligjet që kërkojnë shumicën e thjeshtë ajo ka përdorë arrogancën në anën tjetër ka kërkuar të votohen nga opozita parlamentare”, shprehet Jakaj për teve1.

Sipas tij, nga mosvotimi i këtyre marrëveshjeve dëmtohen vetëm qytetarët e vendit.

“Opozita nuk do duhej që për inate politike ta prolongojë marrëveshjen ndërkombëtare të cilat janë kryesisht financiare me interes infrastrukturor dhe nga mosvotimi i këtyre marrëveshjeve pësojnë vetëm qytetarët dhe jo ndonjë politikan apo deputet i caktuar”, ka thënë Jakaj.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, vlerëson se me këtë bojkot nga opozita po i shkaktohet dëm vendit.

“Marrëveshjet ndërkombëtare siç e dimë të gjithë nuk i takojnë një qeverie apo një subjekti të caktuar. Janë për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ka marrëveshje që sigurisht nuk do të zbatohet për një vit apo tri vite, ka marrëveshje në periudha të gjata kohore të cilat është e paprecedent qysh opozita e ka këtë qasje të bllokimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë Thaçi.

Deri më tani në Kuvendin e Kosovës janë proceduar mbi 250 ligje, e ku ¼ e tyre janë projektligje të marrëveshjeve ndërkombëtare.