25 vjet nga masakra në Gjakovë dhe Lubeniq të Pejës
Mbi 60 shqiptarë të Lagjes së parë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999.
Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.
20 veta të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë.
Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.
Ndërsa po në këtë vit, më 1 prill, në fshatin Lubeniq të Pejës në orët e hershme të mëngjesit, formacionet ushtarake, policore, militare dhe paramilitare e kishin rrethuar në të gjitha anët këtë fshat, i cili shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare dhe në mes të fshatit Raushiq dhe Strellc, ku vranë shumë persona.